Emily Blunt trondit me deklaratën: Alienët ekzistojnë, nuk jemi vetëm!

Emily Blunt beson tek alienët. “Do të ishte një gjë arrogante të mendonim se jemi vetëm”, thotë ajo ndërsa makina përshkon trafikun e Manhattan-it. Vitin e kaluar, ajo kaloi orë të tëra duke parë video të njerëzve që pretendojnë se kanë qenë dëshmitarë të jetës jashtëtokësore, si përgatitje për rolin kryesor në trillerin “Disclosure Day” të Steven Spielberg. “Njerëzit që kanë pasur përvoja të tilla janë plotësisht të qetë dhe të besueshëm”, thotë aktorja 43-vjeçare. Në vitin 2026, një aktor i rrallë është thjesht një aktor. Shumë prej tyre lançojnë marka stili, apo marrin role ambasadorësh për shtëpi luksoze mode. Studiot e filmave po tkurrin buxhetet dhe rolet nuk kanë atë realitet financiar si dikur, ndaj edhe shpesh aktorët joshen lehtë, pa menduar nëse pagesat e tyre do të jenë me shtatë ose tetë shifra. Por kjo nuk ndodh me Blunt, e cila i është përkushtuar artit me një pastërti të rrallë. Madje, ajo nuk ka pasur kurrë një profil në rrjetet sociale. Aftësia e saj për të qenë më shumë personazh e ka detyruar që rolet e saj të jenë nga filmat aksion tek ato komedi romantike, drama dhe muzikalë, thriller psikologjikë, por edhe filma të animuar. Ajo i ka luajtur të gjitha, nga Mary Poppins deri te gruaja e paqëndrueshme por brilante e shpikësit të bombës atomike, duke fituar një nominim për Oscar për Oppenheimer në vitin 2024. Arsyeja? Sepse ajo ka të njëjtën dashuri për filmat e suksesshëm, ashtu siç ka edhe për ato indie, emocionalisht intensivë.
Kur Blunt shikon një skenar për herë të parë, ajo thotë: “Nuk dua ta lexoj! Thjesht, mund ta luaj”. Ajo menjëherë iu bashkua Meryl Streep, Anne Hathaway dhe Stanley Tucci në turneun e “Djalli vishet me Prada”, sepse e dinte që premiera botërore do të fitonte mbi 230 milionë dollarë në nivel global. Edhe pse po përgatitet për xhirimet e “A Quiet Place Part III”, episodin më të fundit të serisë horror të drejtuar nga bashkëshorti i saj, John Krasinski, ajo e dinte që vëmendja do të ishte krejtësisht te filmi i ri. Sidomos pasi në prill, ajo dhe Tucci u nderuan me çmimin në Hollywood Walk of Fame, nuk donte të humbte asnjë moment nga shfaqja e “Djalli vishet me Prada”.
Kujton se ishte në gjendje të dehur në një klub në vitin 2005 kur mori telefonatën për filmin “Djalli vishet me Prada”. Mezi e dëgjonte regjisorin David Frankel për shkak të muzikës së fortë. “Ai më tha - studioja duhet të të shohë me diçka elegante. – Kaq dhe mbylli telefonin”. Por këtë detaj as që e mbante mend, ndaj ishte veshur krejt ‘casual’ për audicion: një fund të puthitur pas trupit dhe një bluzë, shumë larg kostumit që do të interpretonte. Frankel thotë se dhjetëra gra u përpoqën të luanin Emily-n, asistenten e parë arrogante të kryeredaktorit të akullt të Streep-it, por ajo që e vulosi rolin e saj, ishin pikërisht replikat e saj, që askush tjetër nuk mund t’i bënte më mirë se Blunt. E në fakt asi nën mëngë ishte fakti që ky personazh duhej të ishte britanik. Blunt, e lindur dhe rritur në Londër, nga një baba avokat dhe nëna mësuese anglishteje, e kishte kaluar provimin sa hap e mbyll sytë. "U rrita me një nënë që ishte aktore e shkëlqyer, por nuk pati kurrë mundësitë, sepse me katër fëmijë, ky profesion potencialisht mund të ishte shkatërrimtar", thotë ajo. Kur ishte 6 ose 7 vjeçe, Blunt filloi të belbëzonte, një çrregullim i trashëguar në familjen e saj, por duket se asgjë nuk e ndali talentin e saj, pasi kujton se iu desh të vëzhgonte shumë derisa nisi të fliste shumë rrjedhshëm.
Kur u bë pjesë e filmit “Djalli vishet me Prada”, Blunt kishte aktruar në televizion, filma dhe shfaqje teatrale, por të qenit në një film me një buxhet prej 35 milionë dollarësh ishte një përvojë "e çmendur" dhe formuese. Çdo gjë ishte e re për të nga jeta në një hotel deri te veshjet firmato, madje nuk njihte askënd. Kujton se Hathaway e çonte në vende të ndryshme, e prezantonte me njerëz dhe ishte shumë e sjellshme. Blunt kujton leximin e parë të tekstit ku ndihej sa nervoze edhe e frikësuar. "Faqet e mia ishin në flakë dhe zemra po më rrihte fort. Pas rreshtit të parë, mbaj mend që vinte një replikë me Meryl. U bë heshtje dhe pastaj ajo qeshi". Nuk e fsheh që Prada ia ndryshoi jetën. Blunt rrëmbeu vëmendjen me fraza të shkurtra që të bënin të qeshje, shpesh me përbuzje ndaj asistentes së dytë, Hathaway. "Ajo është një personazh i mrekullueshëm, edhe pse është shumë e ligë, sepse është e dëshpëruar, e pasigurt dhe përpiqet të mbijetojë", thotë ajo.
Zhanri që Blunt thotë se nuk i pëlqen është horrori, edhe pse është gati të xhirojë filmin e katërt të “A Quiet Place”. Arsyeja? Bashkëshorti! Ajo e përshkruan atë si një gjeni të çuditshëm. Edhe pse të gjithë e paralajmëruan se do të divorcoheshin deri në fund të filmit të parë “A Quiet Place”, këtë verë ata do të festojnë 16 vjet martesë. Vajzat e tyre, Hazel dhe Violet, të dyja luajnë në shfaqjet shkollore dhe kanë filluar të vizitojnë prindërit e tyre në sheshxhirim. Kur vjen puna për rrjetet sociale, Blunt është tërësisht kundër, mendon se ato janë "si të kesh një trafikant droge që jeton në shtëpinë tënde pa paguar qira". Ajo mendon njësoj për inteligjencën artificiale, megjithëse preferon, ta bëjë punën vetë. Gjuha aliene që ajo shqipton në trailerin e “Disclosure Day” ishte diçka që e zhvilloi me Spielberg. "Mbaj mend që i thashë Steven - mund të bëj disa tinguj të çuditshëm nëse je i interesuar, sepse nuk donim të bënim diçka me IA”. Kur Spielberg kishte kontaktuar ekipin e saj për t'u takuar në lidhje me filmin, Blunt bërtiti: Është ëndrra ime të punoj me të. Vrapova në punë për ta takuar. Në film, Blunt luan rolin e Margaret Fairchild, një meteorologe televizive e zgjedhur nga jashtëtokësorët si njeriu përmes të cilit ata komunikojnë. “Të luash dikë që është në një situatë të paarritshme, ky është lloji i heroit tim. Nuk dua të luaj rolin e njerëzve që i kanë të gjitha përgjigjet”, thotë Blunt.
Gjatë xhirimeve, zgjohej në orën 6 të mëngjesit, mbante shënime dhe shkëmbente mendime me Spielberg. "Në shumë mënyra, gjuha e parë e Steven është kinemaja, dhe gjuha e dytë është ekzistenca në botën reale", thotë ajo, duke theksuar se ai në një farë mënyre u bë babai i filmit për të gjithë. "Emily është empatike, ajo e ndjen atë që po sugjeroj para se të përfundoj mendimin", thotë Spielberg. Kolegu i saj Josh O'Connor, me të cilin luan në film, e përshkruan aktoren shumë entuziaste dhe të talentuar, "cilësi e veçantë, e cila ishte një dhuratë për mua pasi nuk kisha bërë kurrë një rol të tillë në jetën time”, thotë O'Connor.
Kur makina ndalet në shtëpinë e Blunt-it, tani e di që detyra e saj si nënë e thërret, ndaj nuk e fsheh që kur është larg sheshxhirimit gjithë vëmendja e saj është familja. Nuk e fsheh se aktrimi të dhuron një emocion që nuk ngjan me asgjë tjetër, por ama kur shkel pragun e shtëpisë ndjesi të tjera e kaplojnë dhe mezi pret të përqafojë vajzat. “Sapo kaloj pragun e shtëpisë, nuk dua të mendoj për asgjë tjetër veç familjes. Mezi pres ditët e pushimeve të argëtohemi së bashku”, përfundon aktorja. Të paktën nën çatinë e saj nuk luan asnjë rol, ndihet e qetë si nënë dhe e lumtur si bashkëshorte. Aty luan rolet e vetme në jetë që janë të vërteta!


