FIFA ndryshon traditën historike të Kupës së Botës, ja risia në ceremoninë para ndeshjeve!

FIFA ka vendosur të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në ceremoninë zyrtare para ndeshjeve të Kupës së Botës 2026, duke i dhënë fund një prej traditave më të njohura të futbollit ndërkombëtar.
Sipas formatit të ri, lojtarët nuk do të rreshtohen më në dy rreshta paralele para fillimit të ndeshjeve. Në vend të kësaj, të dyja skuadrat, përfshirë futbollistët zëvendësues dhe stafet teknike, do të pozicionohen në formë rrethi në gjysmën e fushës.
Gjatë kësaj ceremonie do të luhen himnet kombëtare, ndërsa në secilën gjysmë të fushës do të shpalosen flamuj gjigantë të vendeve pjesëmarrëse.
Ky ndryshim synon t’i japë ceremonisë një pamje më moderne dhe më spektakolare, si për tifozët në stadium ashtu edhe për audiencën televizive në mbarë botën.
Formati i ri do të debutojë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 dhe pritet të aplikohet në të gjitha takimet e turneut, duke shënuar një epokë të re në prezantimin e kombëtareve para ndeshjeve.

