Çelmeta: Brazili do të japë spektaklin, Ancelotti e zgjidhi taktikisht sfidën ndaj Japonisë
I ftuar në emisionin "Ora e Botërorit" në Ora News, Roland Çelmeta ka komentuar fitoren e Brazilit ndaj Japonisë, duke vlerësuar zgjidhjen taktike të trajnerit Carlo Ancelotti ndaj mbrojtjes hermetike japoneze, ndërsa nuk ka kursyer edhe një batutë me thumbime drejtuar profesor Kërnajës.
"Brazili dihet që nga ndeshja në ndeshje fillon dhe jep edhe spektaklin, do e japi, kemi kohë akoma. Por që në rast po të analizojmë ndeshjen me Japoninë, ishte një ekip që u vendos shumë poshtë taktikisht.
Në një mbrojtje me një fjalë, jo në stilin italian, por në të gjithë stilet e mundshme sesi të mbrohej kundra Brazilit. Ra, edhe në sistemin rrëmujë, edhe në sistemin tren, lokomotivë, i përdori të gjitha, por që Brazili, falë elementëve që ka dhe patjetër dhe trajnerit si Don Carlo që nuk është rastësisht aty, e zgjidhi shumë mirë taktikisht dhe doli fitues. Me thënë të drejtën nuk pata frikë, po unë e përjetoj shumë Brazilin. Jo si profesor Kërnaja që, unë s'mendoj që ka parë vetëm një botëror që është bërë me Marokun", u shpreh Çelmeta.

