FIFA ndalon shishet e ujit në stadiume për Botërorin, shpërthejnë polemikat

FIFA ndalon shishet e ujit në stadiume për Botërorin,

Një vendim i minutës së fundit nga FIFA ka shkaktuar debat të fortë vetëm pak para nisjes së Botërorit. Organizata që drejton futbollin botëror ka ndryshuar politikën e saj për sigurinë në stadiume, duke ndaluar plotësisht futjen e shisheve të ripërdorshme të ujit nga tifozët brenda impianteve sportive.

Sipas raportimit të The Athletic, deri vetëm tre javë më parë Kodi Zyrtar i Sjelljes lejonte hyrjen e enëve plastike transparente dhe bosh me kapacitet deri në një litër. Megjithatë, një përditësim i rregullores më 2 qershor dhe një njoftim i shpërndarë organizatorëve kanë hequr këtë përjashtim për arsye sigurie, me argumentin se shishet mund të përdoren si objekte të rrezikshme dhe të shkaktojnë lëndime në rast se hidhen në tribuna apo në fushë.

Përjashtim do të bëhet vetëm për rastet mjekësore të dokumentuara, si dhe për qumështin ose ujin e sterilizuar për foshnjat.

Vendimi ka ngritur shqetësime të mëdha për shkak të temperaturave të larta që priten gjatë turneut. Tifozët do të detyrohen të blejnë ujë brenda stadiumeve, ku gjatë edicionit të fundit të Botërorit të Klubeve çmimet varionin nga 4 deri në 6 dollarë për një shishe.

Nga ana e saj, FIFA ka deklaruar se do të vendosë masa për të lehtësuar efektet e vapës në zonat përreth stadiumeve. Mes tyre përfshihen stacione freskuese me spërkatje uji, ventilatorë të fuqishëm dhe tenda të posaçme për uljen e temperaturave.

Megjithatë, reagimet kanë qenë të ashpra. Football Supporters’ Association ka akuzuar FIFA-n se po i jep përparësi fitimeve komerciale nga shitja e pijeve, në vend të mirëqenies dhe sigurisë së tifozëve. Po ashtu, disa nga qytetet pritëse kanë shprehur shqetësim, duke theksuar se kanë investuar fonde të konsiderueshme për të mbrojtur vizitorët nga temperaturat ekstreme vetëm në hapësirat jashtë stadiumeve.

Ndërkohë, për futbollistët që do të zbresin në fushë janë parashikuar masa të veçanta mbrojtëse. Rregullorja e turneut përfshin pushime të detyrueshme treminutëshe për hidratim në secilën pjesë të lojës, si dhe përdorimin e pankinave të klimatizuara për lojtarët rezervë dhe stafet teknike.

EMISIONET