CANCELO ZGJEDH BARCELONËN/ Barcelona arrin marrëveshje huazimi me Al Hilal
Joao Cancelo do të veshë fanellën e Barcelonës. Klubi katalanas ka arritur marrëveshjen me Al Hilal për huazimin e mbrojtësit të djathtë portugez, duke i mbyllur përfundimisht shanset e Interit për ta rikthyer në Milano. Vendimtare ka qenë dëshira e lojtarit për t’u rikthyer në La Liga.

Joao Cancelo ka zgjedhur Barcelonën. Klubi spanjoll ka dërguar ofertën zyrtare te Al Hilal, duke propozuar një huazim me pjesë të vogël të pagës të mbuluar — rreth 4 milionë euro — dhe marrëveshja është pranuar nga klubi saudit.
Zgjedhja personale e mbrojtësit portugez ka qenë vendimtare, pasi ai ka preferuar rikthimin në La Liga, pavarësisht interesit të fortë të Interit.
Transferimi vjen pas disa sinjaleve të dyzuara, përfshirë edhe një “like” të Cancelo-s në postimin e Manuel Akanji-t pas ndeshjes kundër Bolognës, që kishte nxitur shpresat e tifozëve zikaltër. Megjithatë, në fund, lojtari ka orientuar negociatat drejt Barcelonës.
Klubi katalanas ka kohë deri të premten për ta njoftuar Federatën Spanjolle lidhur me zëvendësimin e Andreas Christensen — i cili do të mungojë të paktën katër muaj — dhe për të regjistruar një lojtar të ri me pagë që të jetë rreth 80 për qind e kontratës së danezit.
Nga ana tjetër, Interi ka marrë një vendim përfundimtar: as Francesco Acerbi dhe as Stefan de Vrij nuk do të transferohen në Arabinë Saudite.
Shitja e njërit prej dy mbrojtësve do të ishte marrë në konsideratë vetëm në rast se Cancelo do të kishte pranuar kalimin në Milano — një pistë që tashmë ka dështuar përfundimisht.

