BOTËRORI 2026/ Nga Shakira te tifozët e zjarrtë, ceremoni madhështore në zemër të Meksikës (VIDEO)

Kupa e Botës 2026 ka hapur siparin në Meksiko Siti, me një ceremoni madhështore hapjeje, të mbushur me ngjyra, kulturë dhe performanca muzikore nga yje të njohur ndërkombëtarë, mes tyre edhe superylli kolumbian Shakira, sipas BBC.
Mijëra tifozë u mblodhën në stadiumin legjendar “Azteca” për të përjetuar nga afër nisjen e turneut më të madh të futbollit, që rikthehet në Meksikë për herë të parë pas 40 vitesh.
Atmosfera ishte e mbushur me entuziazëm dhe pritshmëri, ndërsa tifozët shpresojnë të shohin kombëtaren e tyre të shkëlqejë në tokën vendase.
Rruga drejt nisjes së Botërorit 2026 nuk ka qenë e lehtë.
Përgatitjet janë shoqëruar me sfida të ndryshme, nga rinovimet e stadiumit “Azteca” dhe infrastrukturës aeroportuale, deri te protestat dhe shqetësimet për dhunën e karteleve të drogës në Meksikë, gjatë muajve të fundit.
Megjithatë, në ditën e hapjes, futbolli mori vëmendjen kryesore, duke lënë në hije polemikat dhe problemet.
“Është një përvojë unike. Nuk kam qenë kurrë më parë në një Kupë Bote dhe fakti që jam këtu me familjen time e bën edhe më të veçantë”, tha tifozi Javier Pérez për BBC.
“Shpresoj që Meksika ta nisë mbarë, të fitojë dhe të shënojë sa më shumë gola. Pastaj do të shohim deri ku mund të arrijmë”, shtoi ai.
View this post on Instagram
Meksika është një nga tre vendet organizatore të Botërorit 2026, së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë.
Ndërsa ceremonia e hapjes në Meksikë u zhvillua sot, SHBA-ja dhe Kanadaja do të organizojnë aktivitetet e tyre festive nesër.
Para ndeshjes së hapjes mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, tifozët në stadium shijuan performanca nga Shakira, J Balvin, Burna Boy, Danny Ocean dhe Fher Olvera.
Himnin kombëtar të Meksikës e interpretoi këngëtari Alejandro Fernández, djali i legjendës së muzikës meksikane, Vicente Fernández, ndërsa himnin e Afrikës së Jugut e këndoi fituesja e çmimit “Grammy”, Tyla.
Artistët dhe performuesit sollën në skenë elementë të kulturës vendase, me kostume tradicionale indigjene dhe koreografi spektakolare.
Ndërkohë, tribunat e stadiumit u mbushën me tifozë të veshur me ngjyrat e kombëtares meksikane, duke krijuar një atmosferë elektrizuese.
Në momentin që ceremonia përfundoi dhe nisi ndeshja, mijëra tifozë hodhën “sombrerot” e tyre në ajër, duke festuar fillimin e një Botërori historik që zhvillohet në vendin e tyre.
View this post on Instagram


