Vdekja e kalit Deniz rikthen debatin në SHBA, Filadelfia ndalon karrocat me kuaj, presion ndaj Nju Jorkut

Vdekja e kalit Deniz rikthen debatin në SHBA, Filadelfia ndalon karrocat me

Vetëm pak ditë pasi kali Deniz ngordhi papritur teksa tërhiqte një karrocë me turistë në Central Park, autoritetet në Filadelfia kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e karrocave të tërhequra nga kuajt, duke i dhënë hov një debati të ri për fatin e kësaj industrie në New York City.  

Organizata për mbrojtjen e kafshëve, mes tyre  PETA⁠ dhe  NYCLASS⁠, po kërkojnë që edhe Nju Jorku të ndjekë shembullin e Filadelfias dhe të miratojë të ashtuquajturin “Ryder’s Law”, një projektligj që synon heqjen graduale të karrocave me kuaj nga rrugët e qytetit.  

Deniz, një kalë 16-vjeçar, u rrëzua dhe ngordhi më 9 qershor ndërsa transportonte dy pasagjerë në Central Park. Ngjarja tronditi vizitorët dhe riktheu kritikat ndaj kushteve në të cilat përdoren kuajt në një nga atraksionet më të njohura turistike të qytetit.  

Sipas mediave amerikane, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka shprehur mbështetje për eliminimin e karrocave me kuaj nga Central Park dhe po shqyrton opsionet ligjore për zbatimin e një tranzicioni drejt alternativave të tjera të transportit turistik.  

Ndërkohë, në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut është rihapur diskutimi për “Ryder’s Law”, i cili parashikon daljen graduale nga përdorimi të karrocave me kuaj, transferimin e kafshëve në strehimore të posaçme dhe programe rikualifikimi për punonjësit e sektorit.  

Mbështetësit e ndalimit argumentojnë se kuajt përballen me rreziqe të vazhdueshme në mjedisin urban, ndërsa kundërshtarët e masës e konsiderojnë industrinë një traditë historike të Nju Jorkut dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash nga turizmi.  

Vdekja e Denizit ka shtuar presionin ndaj autoriteteve të qytetit, ndërsa organizatat për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë që Nju Jorku të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e karrocave me kuaj, një simbol i vjetër i qytetit që prej vitesh mbetet në qendër të polemikave.

EMISIONET