Integrimi në SEPA, Sejko: 2.2 mld euro të transferuara në tre muaj! Ja çfarë pritet të ndodhë me komisionet bankare
Guvernatori Gent Sejko ka raportuar këtë të premte në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë punën vjetore të Bankës së Shqipërisë përgjatë vitit 2025. Sejko ka zbuluar shifra surprizuese për përdorimin e pagesave elektronike në vend.
Përmirësimi i kuadrit rregullator dhe integrimi në sistemin evropian SEPA ka sjellë transferta financiare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto dukshëm më të ulëta për qytetarët.
Vetëm në një tremujor, operacionalizimi i SEPA-s ka mundësuar rreth 166 mijë transaksione, duke arritur një vlerë marramendëse prej 2.2 miliardë eurosh. Raportohet se pagesat elektronike dhe digjitale kanë pësuar një rritje vjetore me rreth 26%, duke dëshmuar një ndryshim thelbësor në mënyrën se si shqiptarët menaxhojnë financat e tyre.
Për vitin 2025, institucioni qendror bankar ka paralajmëruar dy zhvillime madhore që pritet të lehtësojnë ndjeshëm xhepat e konsumatorëve. Fokusi kryesor do të jetë eliminimi ose reduktimi i konsiderueshëm i komisioneve për pagesat e brendshme bankare, si në monedhën kombëtare ashtu edhe në euro.
Gjithashtu, pritet të nisë puna për platformën moderne të pagesave në kohë reale të quajtur TIPS klon, e cila do të unifikohet plotësisht me platformat e Bashkimit Evropian, duke i dhënë një hov të ri digjitalizimit të ekonomisë dhe uljes së informalitetit.
Ndërkohë, po hidhen hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian me përafrimin e legjislacionit dhe plotësimin e detyrimeve në kapituj të ndryshëm, me synim përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Përtej sukseseve me rritjen ekonomike, mbajtjen nën kontroll të inflacionit dhe sigurimin e rezervave valutore rekord, u tërhoq vëmendja te rreziqet e jashtme. Tensionet gjeopolitike, luhatjet e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe ndryshimet në politikat tregtare mbeten kërcënime që kërkojnë vigjilencë të lartë për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare të vendit.
PJESË NGA RAPORTIMI I GUVERNATORIT SEJKO
Përmirësimi i kuadrit rregullator dhe funksionalizimi i SEPA-s kanë sjellë transferta financiare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto të dukshëm më të ulëta.
Pagesat bankare shënuan një rritje vjetore prej 22.7% në numër dhe 18% në vlerë. Pagesat elektronike dhe ato digjitale shënuan një rritje vjetore prej 25.7%, ndërsa operacionalizimi i SEPA-s në muajin tetor mundësoi rreth 166 mijë transaksione SEPA me një vlerë totale prej 2.2 miliardë eurosh.
Dhe të gjitha këto vetëm në harkun kohor të një tremujori. Këto ndryshime pasqyrojnë investimet e vazhdueshme që kemi bërë në përmirësimin e infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe ndërlidhjen e saj me platformat evropiane, përmirësimin e bazës rregullatore si dhe rritjen e edukimit financiar.
Në këtë drejtim dëshiroj të evidentoj dy zhvillime të rëndësishme gjatë vitit 2025. Së pari, prezantimin e masave rregullatore për eliminimin apo reduktimin e ndjeshëm të komisioneve për pagesat e brendshme bankare në lek dhe në euro.
Dhe së dyti, fillimin e punës për zhvillimin e një platforme moderne të pagesave në kohë reale që quhet TIPS klon ose kloni i sistemit TIPS të përdorur nga Bashkimi Evropian, të unifikuar me platformën e përdorur pikërisht nga vendet e Bashkimit Evropian, e cila do t'i japë një hov të mëtejshëm përdorimit të pagesave elektronike në vend.
Këto zhvillime po transformojnë mënyrën se si qytetarët dhe bizneset përdorin shërbimet financiare duke nxitur rritjen e formalizimit, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe digjitalizimin e ekonomisë shqiptare. Paralelisht me punën për nxitjen e pagesave elektronike, Banka e Shqipërisë garantoi qarkullimin cilësor dhe të sigurt të monedhës kombëtare duke ruajtur besimin e publikut tek leku si simbol i stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.
Në të njëjtën kohë, progres i rëndësishëm është shënuar dhe në kuadër të integrimit evropian. Përafrimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor, rregullator dhe statistikor me acquis dhe standardet e Bashkimit Evropian ka forcuar konvergjencën institucionale dhe ka afruar sistemin financiar shqiptar me arkitekturën evropiane.
Gjatë vitit 2025 ne vijojmë punën në drejtim të adresimit të piketave mbyllëse të paraqitura nga Komisioni Evropian për çdo kapitull në përputhje me objektivin e mbylljes së negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.
Rrjedhimisht Banka e Shqipërisë, si institucion lider për kapitullin 4, lëvizja e lirë e kapitalit dhe kapitullin 17, politikat ekonomike dhe monetare, ka qenë maksimalisht e angazhuar në përgatitjen e planeve të punës dhe ndjekjen e tyre.
Gjithashtu Banka e Shqipërisë ka kontribuar në hartimin e planeve të punës për adresimin e piketave mbyllëse për kapitujt e tjerë si kapitulli 9, shërbimet financiare, kapitulli 18, statistikat dhe kapitulli 28, mbrojtja e konsumatorit.
Aktualisht Banka e Shqipërisë po punon për përafrimin e plotë të legjislacionit të saj, që konsiston në ligjin për Bankën e Shqipërisë, ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ligjin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme.
Banka e Shqipërisë ka vazhduar të investojë në forcimin e besimit publik përmes rritjes së transparencës, komunikimit dhe edukimit financiar. Në këtë drejtim aktivitetet e vitit 2025 morën një dimension të veçantë për shkak të kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë.
Sikundër e kemi theksuar edhe më parë, ky jubile nuk përfaqëson vetëm një moment reflektimi mbi historinë tonë institucionale, por edhe një mundësi për të projektuar vizionin e Bankës së Shqipërisë për dekadat që do të vijnë.
Përmes aktiviteteve të zhvilluara gjatë vitit, ne synuam të forcojmë më tej lidhjen e publikut me institucionin, me historinë monetare të vendit dhe me rëndësinë e stabilitetit financiar për mirëqenien e shoqërisë. Ndërkohë agjenda jonë shkencore u fokusua në çështje me rëndësi strategjike për ekonominë shqiptare duke mbështetur vendimmarrjen si dhe duke pasuruar debatin profesional. Së fundi, gjatë vitit 2025 u konsoliduan më tej mekanizmat e qeverisjes së brendshme, kontrollit dhe administrimit të rrezikut.
Forcimi i proceseve të auditimit, përmirësimi i sigurisë operacionale dhe rritja e aftësisë reaguese në kuadër të vijueshmërisë së veprimtarisë, ka rritur më tej rezistencën dhe efiçencën institucionale të Bankës së Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë miratimi i strategjisë afatmesme të zhvillimit 2026-2028 ka qartësuar prioritetet tona institucionale dhe ka vendosur themelet e forta për modernizimin e mëtejshëm të bankës në vitet në vijim.
Të nderuar zonja e zotërinj deputetë, rezultatet e vitit 2025 dëshmojnë se një qasje e kujdesshme, e koordinuar dhe me vizion afatgjatë në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike jep rezultate konkrete.
Rritja e qëndrueshme ekonomike, inflacioni i kontrolluar, rezervat valutore në nivele rekord dhe një sektor bankar i shëndetshëm, përbëjnë arritje të rëndësishme të cilat kanë forcuar qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe kanë krijuar baza solide për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
Megjithatë, ruajtja dhe konsolidimi i këtyre arritjeve kërkon vigjilencë të vazhdueshme pasi mjedisi ekonomik dhe financiar mbetet kompleks dhe sfidues.
Pasiguria në tregjet ndërkombëtare, tensionet gjeopolitike, ndryshimet në politikat tregtare dhe luhatjet e çmimeve të mallrave bazë vijojnë të krijojnë rreziqe për ekonominë globale dhe për vendin tonë. Në veçanti rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2026 përbën një goditje negative oferte për Shqipërinë dhe partnerët tanë tregtarë.
Aktualisht natyra e paqëndrueshme e zhvillimeve e bën veçanërisht të vështirë vlerësimin e plotë të pasojave të këtij konflikti. Megjithatë në gjykimin tonë ndikimi mbi ekonominë shqiptare vlerësohet të jetë i kufizuar për momentin dhe afatshkurtër.



