BOTËRORI 2026 – Klopp mbron “hydration break”

Ish-trajneri i “Liverpool FC”, gjermani Jurgen Klopp, ka dalë në mbështetje të pushimeve të detyrueshme për hidratim gjatë 2026 FIFA World Cup, duke u distancuar nga kritikat e shumta të trajnerëve dhe futbollistëve ndaj kësaj mase, sipas Goal.com.
FIFA ka vendosur që në ndeshjet e zhvilluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Mekskë të ketë ndërprerje të planifikuara në mes të secilës pjesë, për shkak të temperaturave të larta të verës. Edhe pse shumë e konsiderojnë këtë një pengesë për ritmin e lojës, Klopp beson se masa është e nevojshme për mbrojtjen e futbollistëve.
“Është shumë vapë dhe kjo është e mirë për lojtarët. Si trajner do ta kisha pëlqyer gjithashtu. Ndoshta pushimet zgjasin pak më shumë seç duhet, sepse për të pirë ujë nuk duhen dy minuta e gjysmë”, tha tekniku gjerman.
Klopp shtoi me humor se këto ndërprerje janë të dobishme edhe për tifozët në stadium. Sipas tij, gjatë pushimeve publiku argëtohet me shfaqje në ekranet gjigante, ndërsa ai vetë i sheh si një mundësi praktike. “Në moshën time, është një rast i mirë për të shkuar në tualet”, u shpreh ai me shaka.
Në anën tjetër, trajneri i përfaqësuesë së Anglisë, Thomas Tuchel, kritikoi sistemin duke thënë se pushimet e shpeshta ndryshojnë identitetin e një ndeshjeje futbolli dhe e ndajnë lojën pothuajse në katër pjesë, duke prishur ritmin dhe intensitetin.
Edhe kapiteni i përfaqësues holandeze Virgil van Dijk, u shpreh se ndërprerjet nuk duhet të jenë të detyrueshme në çdo takim. Sipas tij, ato duhet të përdoren vetëm kur temperaturat janë vërtet ekstreme.
Megjithatë, FIFA ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndryshojë rregullin gjatë turneut. Ajo argumenton se pushimet për hidratim garantojnë sigurinë e lojtarëve dhe sigurojnë kushte të barabarta për të gjitha ekipet, pavarësisht stadiumit apo kushteve atmosferike.


