SPAK përfundon hetimet çon në gjykatë gjyqtaren Mimoza Margjeka, bashkëshortin etj
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundon hetimet dhe paraqitet kërkesën për dërgimin në gjyq të dosjes së gjyqtares Mimoza Margjeka
Gjyqtarja e komanduar në Apelin e Korçës, u arrestua dhe më pas u pezullua pas përgjimeve të SPAK në të cilat një grup personash përfshirë edhe bashkëshortin e saj akuzohen se për 6 mijë euro ndryshuan masën e sigurisë, Oltion Balit, i arrestuar.
Mimoza Margjeka dhe Arben Cara, akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.
Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.
Të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.
Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.
Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.
