Sot, 36-vjet nga vdekja e dikatorit Enver Hoxha

Data 11 prill në historinë e Shqipërisë, shënon vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, i cili për më shumë se 40 vite drejtoi vendin, me një pushtet absolut, i akuzuar për vrasjen, zhdukjen, internimin dhe burgosjen e mijëra shqiptarëve, që ishin kundërshtarë politikë të tij.

Në atë kohë ai u varros me një ceremoni madhështore në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit, varri i tij u zhvendos te varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

Kush ishte Enver Hoxha?

Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si Sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë.

Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij.

Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985, ndërsa vdes dy ditë më vonë.

Artikulli i “The Guardian” në atë kohë: Përfundon epoka ‘Hoxha’ në Shqipëri

Udhëheqësi i fundit europian, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, vdiq pas 40 vitesh drejtimi me dorë të hekurt të një vendi të vogël komunist në Ballkan, të cilin e shndërroi në një prej vendeve më të izoluar e të hermetizuar në botë.

Enver Hoxha vdiq në moshën 76-vjeçare. Ai raportohej i sëmurë, së paku që prej vitit të kaluar dhe detyra e drejtimit të shtetit kishte kaluar në duart e pasardhësit të zgjedhur prej tij, Ramiz Alisë.

Lajmi zyrtar i vdekjes së tij pasoi emërimin e Alisë si drejtues të komitetit që do të organizojë funeralin, detyra e parë si udhëheqësi i ri i vendit komunist. Alia tha se Hoxha vdiq pas një sulmi në zemër dhe se prej një viti ndodhej i paralizuar pjesërisht.

Ramiz Alia gëzon reputacionin e njeriut më liberal në udhëheqjen komuniste aktuale në Shqipëri. Ai pritet që të përshpejtojë procesin e hapjes së Shqipërisë me botën, proces që nisi dy vite më parë.

Me prejardhje nga një familje e varfër myslimane, para se Hoxha të shpallte të jashtëligjshëm dhe të mbyllte të gjitha xhamitë dhe kishat, Ramiz Alia iu bashkua organizatës fashiste rinore “Të rinjë e Liktorit”. Në atë kohë ishte 19 vjeç, por shpejt u shndërrua në një komunist.

Sot 59 vjeç, Ramiz Alia ka qenë në krah të Enver Hoxhës për tre dekada. 30 vjeç u zgjodh Ministër Arsimi dhe ka qenë anëtar i Byrosë për thuajse 25 vite. Praktikisht u vendos në krye të shtetit në nëntor të vitit 1982, një vit pas asaj që duket si vrasje e Mehmet Shehut, që si Kryeministër ishte njeriu i dytë më i pushtetshëm pas Enver Hoxhës.

Mes ankesave të shfaqura edhe në shtypin zyrtar për joefektivitet dhe apati, Alia ka bërë thirrje për modernizim të ekonomisë dhe më shumë hapje me të huajt. Por, 40 vite dore të hekurt dhe kulti i personit të gdhendur nga Hoxha, Alisë i duhet që të tregohet i kujdesshëm me liberalizimin.

Ka raportime për qindra-mijëra të burgosur politikë në vendin me 3 milionë banorë. Së fundmi flitet për 40 mijë persona, përfshirë këtu njerëz të klerit fetar dhe të tjera që refuzuan t’i përuleshin “puritizmit socialist” të Enver Hoxhës.

Grupe ekzile janë aktive në Shtetet e Bashkuara dhe në Greqi, ndërkohë që ish-Mbreti Leka, monarku i rrëzuar pak ditë pasi kishte lindur kërkon rikthimin e monarkisë.

Pasuritë në agrikulturë dhe në minerale, përfshirë këtu naftën dhe kromin e kanë mbajtur ekonominë e vendit deri më tani duke zbutur efektet shkatërruese të izolimit disavjeçar. Megjithatë, marrëveshjet tregtare të nënshkruara muajt e fundit me Europën Perëndimore, përfshirë këtu Italinë, Gjermaninë Perëndimore, Austrinë e deri dhe Greqinë e Turqinë synojnë që të zbusin ende më shumë situatën.

Shenjat e para të afrimit me Perëndimin në politikën e jashtme mund të mbërrijnë nga zoti Alia me Britaninë dhe Francën. Marrëdhëniet me Londrën janë të ngrira që prej refuzimit të Britanisë së Madhe për t’ë rikthyer arin shqiptar, që britanikët ja morën Musolonit dhe pas mbytjes së dy luftëanijeve britanike në Ngushticën e Korfuzit në vitin 1946 nga pala shqiptare. Ramiz Alia beson se këto diferenca mund të tejkalohen përmes përpjekjeve të përbashkëta.

KRIMET E KOMUNIZMIT

Në periudhën 1944 – 1991, mbi 6.000 persona u ekzekutuan në Shqipëri me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim. Sipas Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë.

Ka edhe raporte të shumta ku thuhet se të burgosur politikë vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqeve të tjera si për shembull, vetvrasje. Edhe në këto raste trupat nuk i ktheheshin familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit edhe në qoftë se ai vdiste. Por, megjithatë, qëllimi i vërtetë ishte parandalimi i shndërrimit të varreve të të burgosurve politikë në vende simbolike për mitingje apo protesta kundër Partisë.

Gjatë viteve institucionet publike dhe të afërmit e të zhdukurve kanë gjetur rreth 100 kufoma njerëzish, në disa raste të pa identifikueshme. Një nga zbulimet e para të eshtrave të të pushkatuarve ishte në vitin 1993, pranë Urës së Beshirit në Tiranë, ku u gjetën 22 të pushkatuarit për incidentin e bombës në ambasadën Sovjetike. Në vitin 2010 u zbulua edhe një varrezë masive afër Malit të Dajtit. Si rezultat i zhvarrimeve nga Instituti Shqiptar i Mjekësisë Ligjore, 13 trupa u gjetën si dhe mbetje, të cilat ende nuk janë identifikuar.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë dhe dokumente, në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende (hot-spot) ku dyshohet se ndodhen trupa të tjerë të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist. Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) dhe autoritetet shqiptare janë angazhuar publikisht për të nisur një fushatë identifikimi dhe kërkimi të të zhdukurve duke ndërmarrë hetime serioze në mënyrë që të paraqesin të dhëna të besueshme mbi ekzistencën e këtyre vendeve. Miratimi i Ligjit për hapjen e dosjeve të regjimit 
komunist mund të shërbejë si një mjet i dobishëm për të ecur përpara me këtë proces.

Kodi Penal i regjimit të Enver Hoxhës numëronte 34 krime të dënueshme me dënim me vdekje mes të cilave 12 ishin krime politike, si “arratisje nga shteti” (Art. 47), sabotim i “ekonomisë socialiste dhe i organizimit e administrimit të Shtetit” (Art. 53) apo “agjitacion dhe propagandë fashiste, anti-demokratike, klerikë, luftënxitëse dhe anti-socialist” (Art. 55). Në vitin 1952, në kohën e manisë së “spiunazhit anglo-amerikan” u prezantua dënimin me vdekje për të gjithë “komplotistët kundër shtetit”.

Disa krime politike si Art. 55, ishin pjesë e Kushtetutës. Në maj të vitit 1990 u krye një liberalizim i parë i Kodit Penal, duke reduktuar në 11 krimet për të cilat parashikohej dënimi me vdekje.

Lista e personave të dënuar me vdekje për motive politike, gjatë regjimit komunist, përfshihen në veçanti intelektualë, politikanë, tregtarë, pronarë tokash dhe klerikë. Dënimi me vdekje vazhdoi të zbatohej në Shqipëri edhe pas rënies së regjimit komunist, por vetëm për krime të zakonshme. Dënimi i fundit me vdekje ndaj kriminelëve të zakonshëm është dhënë në Tiranë më 15 mars 1995. Pas disa muajsh u prezantua një moratorium, i cili çoi në shfuqizimin definitiv të dënimit me vdekje, në vitin 1999.

EMISIONET