Sulmet me armë u rikthyen në mbrëmjen e së martës në Shkodër, ku dy të rinj mbetën të plagosur. Autori është identifikuar si Enton Dushaj, por mbetet ende në arrati.

Dy persona mbeten të plagosur me armë zjarri mbremjen e së martës në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth ores 20.10 në lagjen ‘Skënderbeg’, në afërsi të ish-Fermentimit.

Erison Gjeka dhe Ndue Mali u qëllua me armë zjarri në këmbë. Dy 24-vjecarët morën ndihmë në spitalin rajonal dhe më mësohet se janë rikthyer në shtëpi pasi plagët nuk paraqisnin rrezik për jetën.

“Ky shtetas gjatë një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri duke i plagosur në këmbë, shtetasit E. Gj., 24 vjeç, banues në fshatin Bradhaj, Shkodër, dhe N. M., 24 vjeç, banues në Shkodër, të cilët pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Shkodër janë larguar për në banesë,” informoi sot policia.

Disa orë më pas policia e Shkodrës njoftoi se kishte arritur të zbardhë ngjarjen dhe shpalli në kërkim autorin. Burime konfirmuan se bëhet fjalë për Enton Dushaj, 35 vjeç, po ashtu banor i Shkodrës.

Ai u largua nga vendngjarja menjëherë pasi plagosi dy të rinjtë ndërsa arriti tu shpëtojë kërkimeve të para të Policisë së Shkodrës të ndihmuara edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Policia thotë se plumbat pasuan një konflikt të çastit mes tre të rinjve.

Dy gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes, dhe 1 plumb në derën e një banese në rrugë që do të shërbejnë si provë materiale. Plagosja me armë në Shkodër vijon një seri ngjarjes të rënda kriminale të regjistruara në të gjithë vendin gjatë muajve të fundit.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

(Lajmi u perditesua)