Marrëveshja Libi-Turqi shqetëson Athinën! Konsorciumi ndërkombëtar nis kërkimet për hidrokarbure në det

Një marrëveshje e re për kërkimin e hidrokarbureve në det mes Libisë dhe një konsorciumi me kompani turke dhe europiane ka shkaktuar reagime në Greqi. Athina e sheh zhvillimin si një hap që forcon memorandumit detar Turqi-Libi, të cilin e kundërshton prej vitesh.

Marrëveshja Libi-Turqi shqetëson Athinën! Konsorciumi

Një marrëveshje e re për kërkimin e hidrokarbureve në det mes Libisë dhe një konsorciumi ndërkombëtar me kompani turke dhe europiane ka shkaktuar reagime dhe shqetësime në Greqi.

Marrëveshja u nënshkrua në Bengazi dhe përfshin një bllok detar me sipërfaqe rreth 10,300 kilometra katrorë në veriperëndim të qytetit libian.

Në konsorcium bëjnë pjesë kompania turke TPAO dhe ajo spanjolle Repsol, secila me nga 40% të aksioneve, si dhe kompanitë MOL nga Hungaria, Eni nga Italia dhe QatarEnergy nga Katari.

Megjithëse zona e eksplorimit ndodhet në jug të hapësirave detare të pretenduara nga Greqia dhe nuk mbivendoset me blloqet e licencuara nga Athina në jug të Kretës, analistët grekë e shohin marrëveshjen si një precedent politik dhe strategjik të rëndësishëm. Sipas tyre, ajo forcon përpjekjet e Ankarasë për të konkretizuar Memorandumin Detar Turqi-Libi të vitit 2019, të cilin Greqia e konsideron të paligjshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në projekt e kompanive nga vende anëtare të Bashkimit Europian, si Spanja, Italia dhe Hungaria, ka shkaktuar gjithashtu reagime në Athinë. Zyrtarë dhe analistë grekë argumentojnë se disa vende europiane e konsiderojnë Turqinë një partner strategjik të domosdoshëm, pavarësisht rezervave dhe shqetësimeve të ngritura nga Greqia për çështjet e sigurisë dhe kufijve detarë në Mesdheun Lindor.

Marrëveshja vjen në një kohë kur Libia po përpiqet të rigjallërojë kërkimet për hidrokarbure pas gati dy dekadash, me synimin për të rritur prodhimin e naftës përtej nivelit aktual prej 1.3 deri në 1.4 milionë fuçi në ditë.

Paralelisht, është rritur edhe përfshirja amerikane në sektorin energjetik të Libisë. Kompani si ConocoPhillips, Chevron dhe ExxonMobil po avancojnë marrëveshje të reja, në kuadër të përpjekjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të bashkuar institucionet rivale të vendit nën një administratë të vetme.

Në të njëjtën ditë kur marrëveshja energjetike u nënshkrua në Bengazi, Saddam Haftar, djali i komandantit të Libisë lindore, Khalifa Haftar, zhvilloi një vizitë në Athinë, në një moment kur po diskutohen skenarë për një rol më të madh të tij në strukturat e ardhshme të unifikuara të Libisë.

EMISIONET