Agjërimi dhe aktiviteti fizik, kombinimi që përmirëson metabolizmin dhe ndihmon në kontrollin e peshës!

Agjërimi dhe aktiviteti fizik, kombinimi që përmirëson

Kombinimi i aktivitetit fizik me agjërimin mund të sjellë përfitime të rëndësishme për shëndetin, ndërsa vetëm 90 minuta deri në dy orë stërvitje me pesha në javë mund të reduktojnë ndjeshëm rrezikun e vdekjes së parakohshme.

Studimet e fundit tregojnë se, kur trupi kalon disa orë pa ushqim, ai fillon të përdorë rezervat e energjisë, përfshirë yndyrnat e depozituara. Ky proces mund të ndihmojë në përmirësimin e metabolizmit, kontrollin e peshës trupore dhe në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak. Gjithashtu, agjërimi mund të ketë ndikim pozitiv edhe në shëndetin e zemrës.

Ekspertët theksojnë se ushtrimet e kryera gjatë agjërimit e nxisin organizmin të përdorë më shumë yndyrë si burim energjie, veçanërisht gjatë aktiviteteve me intensitet të ulët ose të moderuar. Megjithatë, në rastin e stërvitjeve intensive ose të zgjatura, mungesa e energjisë së shpejtë mund të ndikojë në performancë dhe të shkaktojë lodhje.

Ndërkohë, një studim i publikuar në revistën shkencore British Journal of Sports Medicine ka analizuar të dhënat e më shumë se 147 mijë burrave dhe grave gjatë një periudhe 30-vjeçare. Sipas hulumtimit, personat që kryenin rregullisht stërvitje me rezistencë ose me pesha kishin 13% më pak gjasa të vdisnin para kohe nga çdo shkak.

Studimi zbuloi gjithashtu se rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, si infarkti dhe goditja në tru, ishte 19% më i ulët te personat fizikisht aktivë, ndërsa rreziku i vdekjes nga sëmundjet neurologjike, përfshirë demencën, u ul me 27%.

Megjithatë, specialistët nënvizojnë se efektet e agjërimit dhe aktivitetit fizik ndryshojnë nga një person te tjetri, ndaj këshillohet që secili të zgjedhë një regjim ushqimor dhe stërvitjeje të përshtatur me nevojat e organizmit të tij.

EMISIONET