Kryeministri, Edi Rama, nuk paraqiti asnjë provë zyrtare për të përgënjeshtruar akuzat për fshehjen e numrit të viktimave si pasojë e  Covid-19, por deklaratat e opozitës i cilësoi jonjërezore dhe të papërgjegjëshme. Fotot e publikuara nga morgu i Tiranës, Rama tha se janë inskenim ndërsa manipulimin e numrit të të vdekurve e quajti të pamundur. Për kreun e qeverisë deklaratat e Presidentit dhe të opozitës përveçse cënojnë integritetin e mjekëve, mbjellin panik tek qytetarët.Kryeministri kërkoi nga shqiptarët të mos bien pre e frikës por të kontribuojnë për të shmangur një karantinë të dytë.

Kryeministrit Edi Rama iu deshën gati rreth 19 minuta për t’iu përgjigjur akuzave të lideri të PD-së Lulzim Basha lidhur me fshehjen e të dhënave për vdekjet nga koronavirusi.

Me anë të një videomesazhi drejtuar qytetarëve, Rama i cilësoi akuzat për të vdekurit makabre dhe çnjerëzore.

Rama: Sot të dalësh i ti thuash popullit se qeveria po fsheh numrin e  të vdekurve do të thotë të kapërcesh  çdo kufi të dekomokracisë, madje edhe çdo kufi të luftës më të çartur për pushtet, kjo është brutalisht çnjerëzore. Si mund të ngacmohet deri në këtë pikë psiqika e një populli, si mund të cënohet deri në këtë farë feje dinjiteti njerëzor jo vetëm profesional i një armate të tërë mjekësh? Si mund të flihet më gjumë pasi arrin të nxjerrësh nga goja një të tillë makabritet? Ky nuk është karakteri i këtij vendi, i këtij populli, as sesi karakteri i shumicës që qeveris këtë vend. Është manifestim ekstrem i atyre lloj karakteresh të dobëta që kanë bërë dëme të mëdha në kohëra vendimtare. Nuk ka më turp se kaq.

Duke e konsideruar të gjithë një luftë politike për pushtet, Rama deklaroi se Presidenti dhe opozita kanë bërë aleancë me Covid për të rrëzuar qeverinë.

Rama: Ne kemi opinione të ndryshme për  ngjarjet dhe kjo është demokraci, por të shash dhe shpifës nuk është demokraci. Ne nuk mund të ndahemi politikisht edhe për numrin e të vdekurve dhe të bëjmë inskenime fotografike deri tek morgu i Spitalit. Në një luftë si kjo sprovohet jo vetëm qeveria por edhe morgu, por nuk mundet që opozita dhe presidenti të krijojnë komitetet e tyre alternative, ku njëri prej tyre thotë që qeveria ti blejë maskat qytetarëve dhe komiteti tjetër thotë virusi nuk ekziston. Në një luftë si kjo ne mund të ndahemi për rrugën se si duhet të mbështetet  ekonomia, kjo madje do të ishte e shëndetshme, por nuk mund të jemi rasti unikal në Europë, ku opozita dhe presidenti bëjnë aleancë me COVID-in për të rrëzuar qeverinë dhe ushqyer frikën në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe shpërndajnë inskenime të fotove nga morgu. Kjo nuk është as demokratike dhe as njerëzore, ku në kulimin e pandemisë ku vala e dytë po trondit botën të bësh politikë me numrin e të vdekurve. Të dalësh e të thuash që qeveria po fsheh numrin e të vdekur, do të thotë të dalësh mbi demokratike dhe madje është brutale edhe në luftën për pushtet, kjo është çnjerëzore, si mund të ngacmohet deri në këtë pikë psikika e një populli dhe të cenohet integriteti njerëzor dhe profesional ku një armatë e tërë mjekësh prej 9 ,muajsh  kanë harrura fëmijët dhe familjet e tyre për t’ju përkushtuar familjeve të secilit prej nesh.

E ndërsa Partia Demokratike dhe kryetari i saj Basha i kanë bërë thirrje Prokurorisë të hetojë këtë çështje, Rama se organi i akuzës e di vetë punën e saj, por nëse do e shohë të arsye që të përfshihet në këtë marrëzi politike, askush nuk do e pengojë.

Rama: Akuza për fshehjen e vdekje dobësi e frikshme e karakterit të kësaj opozite, kulmimi i një seri rastesh të përsërita, që kjo opozitë ngre akuza të shoqëruar me thirrje për Prokurorinë, por që do të thirrej edhe për të vdekurit në spital duke krijuar një trysni kaq të tepërt për mjekët që sot kanë nevojë për mbështetje, kjo e tejkalon nivelin e neverisë për politikën e këtij lloji. Nëse në kriminalizimin e çdo pune po reformë, apo jemi të detyruar të mësohemi me pahir, kriminalizimi i mjekëve tanë është i patorelueshëm.

Prokuroria e di vetë punën, nëse do e shohë të arsye që të përfshihet në këtë marrëzi politike, askush nuk do e pengojë, duhet mbajtur shënim nga një gjykatësoi një lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si popull, virusi nuk na ndan dhe ky episod i luftës së shëmtuar për pushtet nuk duhet harruar nga asnjë shqiptar si një akt përçarjeje mes nesh, në luftën kundër këtij armiku të padukshëm, që nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë, që mund të nxisë edhe dhunën në rast se një familjarë mund të humbasë të afërmin e tij. Ne do ta fitojmë këtë luftë sidoqoftë, me besim të palëkundur dhe me durimin më të madh. Zbatoni rregullat, kufizoni lëvizjet, kontribuoni që të shmangim një mbyllje tjetër dhe as mos dyshoni në shifrat zyrtare dhe as mos bini pre e frikës nga asaj opozite që ju duan mish për luftën e tyre për pushtet. Do ta kalojmë këtë dimër të vështirë.

Rama nënvizoi se pandemia po vë në sprovë mbarë globin por mënyra sesi reagon dhe përgjigjet një vend apo popull tregon shumë.

Ai theksoi se pakica që bën zhurmë në realitet  nuk bën gjë tjetër veçse sehir.

Rama: Kjo sprovë po sfidon prej 9 muajsh të gjitha shtetet, është një sprovë për shkencën, mjekësinë, politikën, qeverisjen dhe median. Por mbi të gjitha kjo është një sprovë për karakterin e kombeve. Askush nuk mund të fajësohet pse vendi e populli goditet nga një tërmet apo pandemi por mënyra e reagimit tregon se kush jemi. Këtë sprovë ashtu si edhe përballimi me pasojat e rënda ne shqiptarët nuk e kemi zgjedhur, por jemi të sfiduar ta përballojmë me forcën e karakterin. Mënyra e reagimit tregon se kush jemi, si njerëz, si qytetarë, tërmeti godet fortë në një kohë të shkurtër dhe më pas pasoja e rimëkëmbjes, ndërsa virusi godet nga pak dhe pasoja sfidojnë përditë rezistencën tonë.

Në të dyja rastet del në pah karakteri ynë, si popull dhe familjarë. Jam krenar si kemi reaguar dhe se si njerëzit janë bashkuar, qoftë që janë bashkuar në muajt e tërmetit dhe të sakrificës së njerëzve. Krenar se si forcat e shtetit janë vënë në dispozicion të njerëzve në nevojë, Urgjenca, FA, deri te forca e sistemit shëndetësor, që nga bluzat e bardha te çdo ekspert dhe strukturë dhe deri te çdo mjek familjeje pa harruar edhe ministrinë e shëndetësisë. Jam shumë i keqardhur që kjo dalje u provokua nga krejt e kundërta e karakterit të fortë dhe virtyteteve.

Teksa shumica e popullit bën më të mirën e vetë, një pjesë tjetër një pakicë e zhurmshme qëndron mënjanë, bën sehir, shan e akuzon, godet me gurë ata që qëndrojnë pa gjumë për të shpëtuar jetë njerëzish. Nuk jam këtu për t’u ankuar për baltën apo pështymat nga pakica se mua të sharat e panumërta besojini ose jo më bëjnë më të fortë dhe më japin më shumë energji për të udhëhequr betejat tona. Ka një ndryshim mes kritikave, sharjeve dhe shpifje, këto të fundit  më ndezin gjakun. Shumë kush e quan arrogancë sjelljen time, por ndoshta duhet ta shohin si pjesë e pasionit të madh që më mban në këtë detyrë.

Basha: Rama po manipulon faktet

Kryetari i Partisë Demokratike, ka reaguar sërisht këtë të shtunë duke ngritur dyshime se kryeministri Edi Rama ka manipuluar dhe fshehur të dhënat për vdekjet nga Covid-19.

Basha shprehet se kreut të qeverisë iu deshën dy ditë për tu përgjigjur teksa shton se të vëertën e kanë parë të gjithë e se Ramën nuk e beson më askush.

Basha: Pasi denoncimit të fakteve se gënjeu për numrin e viktimave të Covid-19, Ramës ju deshën dy ditë për t’u përgjigjur. Dy ditë përpjekje për të manipuluar faktet dhe për të fshehur të vërtetën që pamë të gjithë. E ka kot sepse askush nuk i beson më! Kush gënjen për një çështje kaq të ndjeshme, gënjen për gjithçka. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për ta dhe nuk merret me gënjeshtra natë e ditë.

PD kerkon hetim

PD, dhe kreu i saj i bënë thirrje prokurorisë të bëjë hetimet.

Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet.

Qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë. Heshtja 48 orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën” deklaroi Bardh Spahia.

Nga selia e PD-se i bëri thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin.

Kjo është e vetmja mënyrë që e vërteta të mos fshihet, të bëhet publike për qytetarët dhe përgjegjësit të japin llogari përpara ligjit.

Është e turpshme përpjekja e Edi Ramës për t’ju shmangur përgjegjësisë për dështimin katastrofik me pandeminë, si dhe për t’u fshehur pas punës heroike të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë.

Dje Shqipëria shënoi një bilanc negativ sa i takon të infektuarve me kovid.