“Vota, detyrim për marrëveshje”- Muhaxheri: Ja skenari që e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja në vjeshtë
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të fundit në Kosovë kanë lënë pas një peizazh politik që kërkon domosdoshmërisht bashkëpunim. Me Lëvizjen Vetëvendosje që kryeson me 43%, të ndjekur nga PDK me 21% dhe LDK me 17.9%, mesazhi i qytetarëve është i qartë: partitë duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për krijimin e institucioneve të reja.
Megjithatë, në këndvështrimin e analistit Arton Muhaxheri situata post-zgjedhore paraqitet mjaft e tensionuar. Në një intervistë për “Ora News”, Muhaxheri u shpreh se ftesat e bëra nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, drejt opozitës po shihen më tepër si manovra elektorale se sa si vullnet i vërtetë për të bashkëpunuar.
Deklaratat e fundit nga Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani po vlerësohen si pengesa të drejtpërdrejta në procesin e formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.
Nëse partia fituese nuk tregon gatishmërinë e duhur për të ngritur institucionet dhe vazhdon të mbajë një qasje bllokuese, Kosova rrezikon të futet sërish në një ngërç të thellë.
Ky bllokim institucional mund të provokojë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, të cilat mund të mbahen në muajt tetor ose nëntor të këtij viti.
Për të shmangur këtë krizë të re dhe për t'i dhënë vendit një stabilitet afatgjatë qeverisës, Muhaxheri vlerësoi se skenari më realist dhe i qëndrueshëm do të ishte një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Një aleancë e tillë jo vetëm që do të zgjidhte krizën aktuale, por do të siguronte edhe dy të tretat e votave në parlament, të cilat janë thelbësore për kalimin e agjendave të rëndësishme shtetërore.
PËR MË SHUMË NDIQNI ANALIZËN E PLOTË POST-ZGJEDHORE NË KOSOVË TË ARTON MUHAXHERIT


