Ukrainë–BE–Britani: Zelensky merr pjesë në samitin e rëndësishëm E3 në Londër!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar për një seri takimesh të nivelit të lartë me fokus koordinimin diplomatik dhe të mbrojtjes në kuadër të luftës në Ukrainë.
Ai pritet të zhvillojë fillimisht bisedime bilaterale me kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, ndërsa më pas do të marrë pjesë në samitin “E3 + Ukrainë”, ku do të jenë të pranishëm edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz.
Ky takim i nivelit të lartë shihet si një demonstrim i rëndësishëm i unitetit evropian në një moment kritik të luftës, me synim forcimin e bashkëpunimit politik, ushtarak dhe strategjik mes aleatëve.
Zelensky ka bërë të ditur se agjendat e punës janë përgatitur më herët nga ekipet teknike, ndërsa liderët pritet të finalizojnë marrëveshjet kryesore dhe drejtimet strategjike të bashkëpunimit.
Samiti në Londër vjen në një moment kur Ukraina kërkon rritje të mbështetjes ndërkombëtare dhe koordinim më të ngushtë me partnerët evropianë përballë zhvillimeve në frontin e luftës.

