Ekspertët flasin: Ja si të kuptoni nëse sfidat në punë vijnë nga ju apo nga ambienti...

Dyshimi në vetvete është një reagim normal, por shpesh lind pyetja nëse burimi i problemit është tek ne apo tek mjedisi ku punojmë. Përpara se të fajësojmë të tjerët, është e rëndësishme të reflektojmë mbi sjelljen tonë profesionale: a funksionojmë si pjesë e ekipit, a ndajmë meritat dhe a u japim hapësirë të tjerëve të kontribuojnë?
Nëse përgjigjja për disa nga këto pyetje është negative, atëherë ka vend për përmirësim në komunikim dhe bashkëpunim. Ndryshime të vogla në qëndrimin profesional mund të ndikojnë ndjeshëm në atmosferën e punës.
Megjithatë, jo gjithmonë problemi qëndron tek individi. Ka raste kur një punonjës jep maksimumin, sillet me profesionalizëm dhe respekt, por sërish përballet me një mjedis jo mbështetës.
Në këto situata, ekspertët sugjerojnë disa mënyra për përballimin e presionit në punë:
Mbroni qetësinë mendore
Jo çdo kritikë apo koment meriton vëmendje. Është e rëndësishme të ruani distancë emocionale nga vërejtjet e padrejta dhe të mos lejoni që ato të ndikojnë në vetëvlerësimin tuaj.
Investoni në marrëdhënie mbështetëse
Një koleg pozitiv mund të ketë ndikim të madh. Ndërtimi i një rrjeti profesional të shëndetshëm ndihmon në përballimin e sfidave dhe rrit ndjenjën e mbështetjes.
Reagoni me qetësi dhe vendosmëri – Jo çdo koment kërkon reagim, por kur kalohen kufijtë e respektit, është e rëndësishme të përgjigjeni në mënyrë të qartë dhe profesionale.
Shiheni punën si proces mësimi
Çdo përvojë pune ofron mundësi zhvillimi, qoftë në aftësi teknike, qoftë në menaxhimin e situatave të vështira.
Mos kini frikë të largoheni
Nëse mjedisi nuk vlerëson punën dhe përkushtimin tuaj, është plotësisht e pranueshme të kërkoni mundësi të reja.
Në fund, suksesi profesional nuk matet vetëm nga pranimi i kolegëve. Jo çdo ambient pune është i duhuri për të gjithë, dhe zgjedhja për të ndryshuar rrugë është një hap i shëndetshëm kur vlerat dhe përpjekjet nuk respektohen.


