PENSIONET/ Hoxha zbardh skemën që po mban me lëmoshë shqiptarët: Puna në të zezë godet 353 mijë pensionistë
Puna në të zezë, nën-deklarimi i pagave dhe një skemë e vjetruar e sigurimeve shoqërore po thellojnë çdo ditë e më shumë krizën e pensioneve në vend.
Shifrat tregojnë një realitet të hidhur: një pensionist në zonat urbane merr mesatarisht rreth 20 mijë lekë, ndërsa ata në zonat rurale detyrohen të mbijetojnë me një lëmoshë prej vetëm 11,878 lekësh.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës”, eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, u shpreh se kjo ndarje e padrejtë i ka rrënjët që në sistemin e para vitit 1991, ku punonjësit e ish-kooperativave bujqësore trajtoheshin me një ligj të veçantë kufizues, pavarësisht se kryenin të njëjtën punë me punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore shtetërore.
Sot, pavarësisht indeksimeve ndër vite, kjo kategori vazhdon të mbajë barrën e një padrejtësie historike, duke marrë pagesa minimale.
Por skandali nuk ndalet vetëm tek dallimi fshat-qytet. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, të cilat sipas ekspertit janë publikuar me vonesë dhe mbartin mospërputhje të thella, zbulojnë një alarm tjetër madhor: rritjen e frikshme të pensioneve të pjesshme.
Teksa raportohet se ka rreth 360 mijë pensione të pjesshme, përllogaritjet statistikore tregojnë se rreth 55% e totalit të pensioneve i përkasin kësaj kategorie, çka përkthehet në mbi 415 mijë qytetarë që nuk arrijnë të përfitojnë pension të plotë.
Situata vjen duke u përkeqësuar vit pas viti, me një rritje galopante të atyre që dalin në pension pa plotësuar vitet e punës. Shkaku kryesor mbetet evazioni përmes punës në të zezë dhe shmangies së detyrimeve ndaj shtetit. E gjithë kjo barrë reflektohet në një raport kritik: aktualisht, për çdo 100 pensionistë ka vetëm 117 kontribues, një ekuilibër i brishtë që po çon drejt një defiçiti të thelluar.
Pa një rishikim total të skemës së sigurimeve shoqërore, as qeveria nuk do të mund ta mbajë dot në këmbë këtë sistem, dhe as pensionistët nuk do të mund të dalin dot nga kufiri i varfërisë ekstreme.
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KUJTIM HOXHËN


