Shoferët malazezë tërhiqen nga protestat pas marrëveshjes me Qeverinë

Shoferët malazezë tërhiqen nga protestat pas marrëveshjes me

Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi ka njoftuar për përfundimin e bllokimit të pikave kufitare për qarkullimin e mallrave me Bashkimin Evropian, pas një takimi me përfaqësues të Qeverisë malazeze.

Vendimi vjen pasi, sipas shoqatës, janë arritur zgjidhje për disa nga kërkesat kryesore të transportuesve.

Autoritetet malazeze kanë garantuar rimbursimin e TVSH-së brenda afateve ligjore, zgjatjen e periudhës së transitit për mallrat e importuara në 72 orë, si dhe paraqitjen për votim në Qeveri të propozimit për përvojë pune preferenciale.

Po ashtu, është premtuar zgjatja e orarit të punës së inspektorëve doganorë dhe fitosanitarë.

Megjithatë, problemi i akcizës së karburantit mbetet ende i pazgjidhur, ndërsa transportuesit kanë marrë garanci se kjo çështje, bashkë me ETIAS-in dhe tema të tjera me partnerët evropianë, do të diskutohet në vazhdim.

Bllokada ishte zhvilluar në nëntë pika kufitare dhe në Portin e Tivarit, duke lejuar kalimin vetëm për mallra të ndjeshme si ilaçet, kafshët dhe materialet e rrezikshme.

Protesta ishte pjesë e një reagimi më të gjerë të transportuesve nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, të cilët kundërshtojnë rregulloren e BE-së për qëndrimin 90-ditor në zonën Schengen.

Edhe pse Mali i Zi ka hequr bllokadën, protestat vazhdojnë në vendet e tjera të rajonit, duke shkaktuar pasoja për bizneset në Kosovë.

Disa kompani kosovare raportojnë vonesa në dërgesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare, ndërsa Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka paralajmëruar Komisionin Evropian për pasojat e mundshme të protestës.

 

EMISIONET