SHBA: Dialogu në Bruksel Prishtinë-Beograd nuk parashikon reciprocitetin
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk parashikon reciprocitet.
Ai shtoi se BE ka marrë një detyrë të vështirë me ndërmjetësimin e këtij dialogu, ndërsa foli edhe në lidhje me të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Serbi.
“Dialogu i Brukselit është një proces në vijim që nga viti 2013. Unë mendoj se BE ka marrë një detyrë shumë të vështirë dhe dialogu i Brukselit nuk parashikon reciprocitetin. Reciprociteti që ju flisni, që ka të bëjë me qytetarët shqiptarë brenda Serbisë, duhet të zgjidhet brenda Serbisë. Kushtetua e Serbisë e thotë se shqiptarët janë të barabartë me të tjerët në Serbi. Shumë njerëz në korin diplomatik vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje këtyre problemeve. Janë probleme të cilat jemi të brengosur të gjithë dhe duhet të ketë një zgjidhje”, tha ai.
Hill shton se nëse Marrëveshja e Ohrit do të ketë sukses, prej saj mund të përfitojë edhe rajoni.
“Dialogu i BE-së që kulmoi me Marrëveshjen e Ohrit, ka të bëjë me Kosovën dhe zgjedhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse është e suksesshme, mund t’i ndihmojë të gjithë rajonit. T’i ndihmojë njerëzit që të krijojnë rrethana të reja ku kufijtë nuk do t’i ndajnë njerëzit, por t’i bashkojnë. Mendoj se dialogu do të përkrahet nga një gamë e gjerë personash, ku njerëzit mund të ulen në tavolinë e të gjejnë zgjidhje paqësore për problemet”, përfundoi ai.