RAFUNA PARALAJMËRON KRIZË ÇMIMESH/ Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës kërkon ndërhyrjen e qeverisë
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna paralajmëron se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dhe lufta në Iran do të ndikojë në ekonominë e Kosovës. Ai kërkon masa urgjente për të përballuar rritjen e çmimeve, krydhe inflacionin.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, përfshirë luftën në Iran dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës.
"Jemi duke parë çmimin e naftës, në momentin që është rritur në bursat ndërkombëtare ose në tregjet botërore, me automatizëm është rritur edhe te ne. Kurse rritja e çmimit të naftës dihet që është kosto operative për çdo biznes dhe kjo i tërheq edhe rritjen e çmimeve në produktet e tjera dhe kështu ta shkakton një inflacion."
Rafuna kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të përgatisë urgjentisht një paketë mbështetëse për bizneset dhe qytetarët, veçanërisht në rast të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
"Në rast se kemi një rritje sidomos të çmimit të energjisë elektrike, atëherë qeveria patjetër që duhet me pasë një paketë në mënyrë që me mbështetë biznesin, me mbështetë edhe qytetarin e Republikës së Kosovës. Dhe paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për neve ka qenë shumë shqetësuese"
Sipas tij, një rritje e tillë do të përbënte një goditje të rëndë për ekonominë, në një kohë kur vendi përballet me ritme të ulëta të rritjes dhe inflacion në rritje.
"Do të ishte një goditje e rëndë për biznesin, po do të ishte një goditje shumë e rëndë për qytetarët e Republikës së Kosovës, sidomos në kohën e tanishme. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që qeveria me pasë një paketë që me mbështetë uljen e inflacionit, po me mbështetë bizneset dhe me mbështetë qytetarin që mos me vërejtë rritjen e inflacionit"
Në këtë kontekst, Rafuna kërkoi rritje të investimeve publike dhe private, si dhe indeksim të pagave sipas inflacionit, për të zbutur efektet ekonomike dhe për të mbështetur qytetarët dhe bizneset në këtë periudhë sfiduese.

