Paunoviq vijon deklaratat për Kosovën/ Akuzon Kurtin për “ndjekje” të serbëve që nuk shesin pronat

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka vijuar me deklarata kundër Kosovës, duke përsëritur pretendime të kontestuara dhe narrativa të Beogradit për zhvillimet në vend.
Në një intervistë për televizionin serb “Informer”, Paunoviq pretendoi se çështja e ndalimit të hyrjes së saj në Kosovë po përdoret për qëllime politike dhe elektorale nga institucionet e Kosovës.
Ajo akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për veprime ndaj serbëve, duke pretenduar se janë arrestuar persona vetëm për shkak të përkatësisë etnike dhe se janë penguar vizitat në Gazimestan.
Paunoviq deklaroi gjithashtu se serbët që nuk pranojnë të shesin pronat e tyre në Kosovë janë përballur me akuza për krime lufte, duke përsëritur pretendimin se “eksodi i serbëve” vazhdon edhe sot.
Ministrja serbe u përpoq edhe të relativizojë deklaratat e saj të mëparshme për spastrimin etnik, duke thënë se ato ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se kishte folur nga perspektiva e një serbeje të dëbuar.
Deklaratat e saj kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa kritikët i kanë cilësuar ato si pjesë e një narrative që shtrembëron faktet historike të luftës së viteve 1998-1999.
Organizatat dhe raportet ndërkombëtare kanë dokumentuar dëbimet masive, vrasjet dhe krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë luftës, përfshirë largimin me dhunë të qindra mijëra shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.



