LDK pezullon bisedimet për institucionet/ LVV: Jemi të hapur për dialog, opozita të mos e çojë vendin në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se mbetet e gatshme për dialog dhe marrëveshje politike, pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të pezulluar bisedimet për formimin e institucioneve të reja.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, ka thënë se partia në pushtet po vazhdon përpjekjet përmes takimeve dhe bashkëpunimit me partitë e tjera, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje politike.
“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktivë e konstruktivë për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje”, ka deklaruar Manxhuka.
Ai ka shprehur shpresën që opozita të mos bllokojë procesin dhe të mos e çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri”, ka thënë zëdhënësi i LVV-së.
Vendimi i LDK-së për pezullimin e bisedimeve erdhi pasi kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, njoftoi ndërprerjen e angazhimeve për formimin e institucioneve, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Abdixhiku ka deklaruar se zhvillimet e fundit kanë ndikuar në procesin e negociatave politike, duke u tërhequr përkohësisht nga diskutimet për krijimin e institucioneve të reja.
Ndërkohë, LVV dhe LDK kishin zhvilluar më herët takime për të gjetur një marrëveshje pas zgjedhjeve, me synim shmangien e një tjetër krize politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas afateve kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, ndërsa seanca konstituive ka afat të mbahet deri më 7 gusht.



