Bajrami i ankohet Sorensenit për deklaratën e ministres serbe: Ajo tha me zë të lartë atë që mendon Vuçiq

Ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe kreu i ekipit negociator, Agron Bajrami, ka ngritur për diskutim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, deklaratën e ministres serbe lidhur me spastrimin etnik në Kosovë.
Bajrami ka deklaruar se deklarata e ministres serbe përfaqëson një shqetësim serioz dhe sipas tij, ajo ka shprehur publikisht qëndrime që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mendon por përpiqet t’i mbajë të fshehura.
“Ministrja serbe tha atë që mendon presidenti serb – ajo thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë, ndërsa ai tani përpiqet të kontrollojë dëmet”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka vlerësuar se deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarët serbë cenojnë procesin e dialogut dhe bien ndesh me frymën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, e cila synon kapërcimin e trashëgimisë së së kaluarës dhe respektimin e integritetit territorial.
Sipas Bajramit, retorika e tillë dëmton besimin dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Ai ka kritikuar gjithashtu distancimin e institucioneve serbe nga deklarata e ministres, duke e cilësuar atë si një reagim jo të mjaftueshëm.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por vetëm nëse respektohen parimet themelore të tij”, ka theksuar ambasadori Bajrami.


