Debati politik për LDK-në përplaset në Facebook/ Kërçeli dhe Ymeri shkëmbejnë akuza për besnikëri partiake

Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas nismës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe pezullimit të bisedimeve për formimin e institucioneve, kanë sjellë përplasje publike mes përfaqësuesve politikë në rrjetet sociale.
Debati nisi mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, dhe deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, pas një postimi ironizues të Kërçelit për qëndrimin e saj ndaj kryetarit të partisë.
“Nuk e di a ka ardhur momenti që Janina Ymeri t’i shtrohet pyetja: A i besoni ende liderit tuaj?”, shkroi Kërçeli.
Në përgjigje, deputetja e LDK-së deklaroi se vazhdon t’u besojë organeve të partisë dhe kryetarit Abdixhiku, për sa kohë ata kanë mbështetjen demokratike të anëtarësisë.
“Momenti për besim ndaj organeve të partisë, përfshirë kryetarin, do ta ketë përgjigjen e njëjtë. I besoj përderisa jam anëtare dhe deputete e LDK-së”, u shpreh Ymeri.
Ajo më pas e pyeti Kërçelin se kujt i beson politikisht, duke e sfiduar me një krahasim mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
“Po ju kujt i besoni, Vetëvendosjes sot, apo Partisë Demokratike të Kosovës?”, shkroi Ymeri.
Deputetja e LDK-së e akuzoi Kërçelin për ndryshim të qëndrimeve politike, ndërsa ai i hodhi poshtë pretendimet dhe paralajmëroi edhe mundësinë e një padie për shpifje.
Kërçeli deklaroi se mbështetja e tij për Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë publike që nga hyrja e saj në garën politike, ndërsa ngriti pyetje edhe për angazhimet publike të Ymerit.
Përplasja mes dy deputetëve vjen në një periudhë tensionesh brenda LDK-së, pas vendimit të Lumir Abdixhikut për të pezulluar angazhimet për formimin e institucioneve, pas nismës për shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë.



