SHBA mbledh aleatët për të diskutuar rritjen e terrorizmit të ekstremit të majtë

SHBA mbledh aleatët për të diskutuar rritjen e terrorizmit

Departamenti Amerikan i Shtetit organizoi këtë të enjte Takimin Ministror mbi Ringjalljen e Terrorizmit Politik, duke mbledhur përfaqësues qeverish nga Hemisfera Perëndimore, Evropa dhe Azia për të diskutuar rritjen e terrorizmit politik të ekstremit të majtë si një kërcënim ndërkombëtar.

Sipas Departamentit të Shtetit, nën drejtimin e Sekretarit Marco Rubio, takimi synon të forcojë koordinimin mes vendeve partnere, të përmirësojë shkëmbimin e informacionit dhe të rrisë bashkëpunimin ndërkombëtar në zbatimin e ligjit për të luftuar këtë fenomen.

Në deklaratën zyrtare thuhet se terrorizmi i ekstremit të majtë është karakterizuar nga sulme ndaj qytetarëve, zyrtarëve qeveritarë, forcave të rendit, bizneseve dhe infrastrukturës kritike në vende të ndryshme të botës.

Departamenti thekson se, historikisht, grupet e dhunshme të ekstremit të majtë kanë qenë përgjegjëse për pjesën më të madhe të sulmeve terroriste me motive politike në Perëndim. Sipas të dhënave të publikuara, midis viteve 1970 dhe 1980 ato kryen 93% të sulmeve terroriste dhe shkaktuan 58% të viktimave të lidhura me terrorizmin.

Autoritetet amerikane pretendojnë se që nga viti 2016 është regjistruar një rritje e ndjeshme e komploteve dhe sulmeve të ekstremit të majtë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Sipas Departamentit të Shtetit, gjatë vitit 2025 aktorët e ekstremit të majtë ishin përgjegjës për 63% të sulmeve ose komploteve antiqeveritare të regjistruara në SHBA.

Deklarata përmend gjithashtu se në Bashkimin Evropian u regjistruan 21 sulme të atribuuara grupeve të ekstremit të majtë dhe anarkistëve gjatë vitit 2024, ndërsa nga 45 sulmet terroriste të raportuara në Evropë në vitin 2025, 12 iu atribuuan këtyre grupeve.

Departamenti i Shtetit njoftoi se ka shpallur katër grupe të dhunshme të ekstremit të majtë si Organizata Terroriste të Huaja dhe ka ofruar shpërblime deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në ndërprerjen e rrjeteve të tyre financiare.

Sipas autoriteteve amerikane, SHBA do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për të kufizuar lëvizjen e terroristëve, për të forcuar shkëmbimin e informacionit dhe për të rritur bashkëpunimin mes agjencive të zbatimit të ligjit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

EMISIONET