Ndalohen pesë persona të dyshuar për kontrabandim të mallrave dhe “artikujve të dëmshëm ushqimorë”
Policia e Kosovës ka ndaluar të premten pesë persona të dyshuar për kryerje të veprave penale, “kontrabanim i mallrave”, “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë” dhe “mashtrim të blerësve”.
Me vendim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarit, me inicialet K.Gj., E.Gj., Q.Sh., M.Sh. dhe E.I., janë ndaluar për 48 orë.
Policia ka thënë se ata janë ndaluar pas një operacioni të gjerë, të zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj dhe Prevallë, i cili është realizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Inspektorë të Tregut dhe Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK).
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se prej marsit të vitit 2023 kanë bartur mallra, duke e shmangur kontrollin doganor, përmes pikës kufitare që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Sipas komunikatës, duke shfrytëzuar rrugët malore, këta persona kanë “kontrabanduar mallra të emëruara si ‘mjaltë’ me origjinë nga vende të ndryshme, e cila futet në paketime të ndryshme dhe në kavanoz dhe këto mallra futen në Kosovë duke i’iu shmangur kontrollit doganor”.
Në të është thënë, po ashtu, se prej marsit, këto mallra të kontrabanduara janë vënë në qarkullim me shënjim që nuk përkon me përmbajtjen dhe prejardhjen, apo kualitetin e produktit./REL