Model kroat për Kosovën, Gërvalla: Rajonit i mjafton një Republikë Serbe, s'ka nevojë për të dytë

Model kroat për Kosovën, Gërvalla: Rajonit i mjafton një

Modeli krotat që parashikon rregullimin me Kushtetutë të drejtave të pakicave u propozua nga Albin Kurti për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë pas dështimit të negociatave në Bruksel me Aleksandër Vuçiç.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, nga Prishtina ku ishte për vizitë zyrtare, tha se marrëveshja e vitit 1995 mund të jetë shembull për Kosovën, por shtoi se Bashkimi Europian ka edhe modele të tjera.

“Ky model është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës dhe është i suksesshëm si i tillë. Ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht se ishte i vlerësuar në lidhje me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.

Ky model ka rezultuar me sukses tek ne, por të gjithë ata që dëshirojnë eksitojnë modele të shumta në botë, që mund të shfrytëzohet. Ndoshta nuk janë të suksesshme në disa situata, kjo është çështje tjetër, po ashtu sa mund të zbatohen në sisteme të tjera varet nga shtetet”, tha ai.

Shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla, në konferencën e përbashkët nënvizoi se asnjë lloj Asociacioni nuk do të zbatohet nëse shkel Kushtetutën e Kosovës.

“Në vazhdimësi të procesit të dialogut nga ndërmjetësuesi Lajçak janë prezantuar disa modele evropiane si shembuj të mirë se si mund të rregullohen çështjet e pakicave apo minoriteteve në një vend.

Të gjitha modelet që kemi trajtuar kemi konstatuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, minoriteteve të veta iu jep më shumë të drejta se të gjitha modelet që kemi parë. Qoftë përfaqësimi në parlament, në nivelin lokal, madje edhe prezenca e vazhdueshme e pakicës serbe në kabinetin qeveritar është një element unik që ia jep Kushtetuta.

Ne i kemi trajtuar modelet i kemi parë cilat janë ato, të cilat nuk vijnë në shprehje pasi shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Asnjë lloj formacioni, asociacioni apo mekanizmi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse shkel sovranitetin e vendit, kushtetutën e vendit dhe funksionalitetin e Kosovës.

Këto tre elemente janë bazë për funksionimin e një shteti. Çfarë kemi parë në Bosnje dhe Hercegovinë me Republikën Serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Kosovë.

Ky rajon mjaft e ka një Republikë serbe, nuk ka nevojë për një të dytë. Prandaj modelet që janë paraqitur paraqesin elemente të pranueshme në suazat e rregullimit tonë kushtetues dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjedhim elementet më të mira”, theksoi Gërvalla.

Kryediplomati kroat mirëpriti avancimin e dialogut Kosovë-Serbi, veçmas theksoi rëndësinë e nënshkrimit të deklaratës për të zhdukurit.

asociacioni

EMISIONET