Mehmeti: Kriza në LDK mund ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje, marrëveshja Kurti-Abdixhiku në pikëpyetje
Kosova mund të përballet me një tjetër krizë politike, ndërsa përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja rrezikojnë të bllokohen nga zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Gazetari Faton Mehmeti, në një intervistë për “Ora News”, deklaroi se përplasjet brenda LDK-së dhe ngrirja e negociatave nga kryetari Lumir Abdixhiku mund të rikthejnë skenarin e zgjedhjeve të reja.
Sipas Mehmetit, LDK-ja ishte parë si faktor kyç për arritjen e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve, por kriza e fundit brenda partisë ka komplikuar situatën.
“Kërkesa për shkarkimin e kryetarit Abdixhiku nga një pjesë e konsiderueshme e delegatëve të LDK-së mund të prodhojë një krizë të re politike”, u shpreh Mehmeti, duke shtuar se Abdixhiku ka ngrirë për momentin rolin e tij në negociatat me Vetëvendosjen.
Gazetari bëri të ditur se pas certifikimit të zgjedhjeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti zhvilloi takime me partitë politike, ku bisedimet me LDK-në u konsideruan më shpresëdhënëse. Sipas tij, palët kishin avancuar në diskutime dhe madje ishin raportuar edhe ndarje të mundshme postesh qeveritare.
“LDK-së i ishin ofruar tre ministri dhe posti i kryetarit të Kuvendit, ndërsa çështja e presidentit do të mbetej për t’u diskutuar”, tha Mehmeti, duke theksuar se marrëveshja ishte afër, por zhvillimet e brendshme në LDK e kanë vendosur procesin në një status quo.
Një rol të rëndësishëm në afrimin mes palëve, sipas tij, ka pasur edhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani.
Ajo është shprehur se nuk do të jetë pengesë për krijimin e institucioneve dhe ka lënë të hapur mundësinë e tërheqjes nga gara për postin e presidentit, nëse kjo do të ndihmonte në arritjen e një marrëveshjeje.
Megjithatë, Osmani mbetet një figurë e diskutuar brenda LDK-së, për shkak të përplasjeve të mëparshme me strukturat e partisë dhe largimit të saj nga kjo forcë politike.
Sipas Mehmetit, koha po punon kundër partive politike, pasi afatet kushtetuese po afrohen dhe mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit mund të çojë në një tjetër ngërç institucional.
Nëse palët nuk arrijnë kompromis, Kosova mund të rikthehet sërish te zgjedhjet e parakohshme, një skenar që qytetarët duket se e kanë gjithnjë e më pak të dëshiruar.
Faton Mehmeti: Një krizë të re e cila mund të prodhojë zgjedhje të sërishme. Kjo për faktin se partia e tretë, në këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte si shpresa e vetme për mundësinë e krijimit të institucioneve në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, është futur në një krizë të madhe brenda saj. Pra, kërkesa për shkarkimin e kryetarit Abdixhiku nga një pjesë e madhe e delegatëve, nga diku 150 delegatë nga gjithsej 355 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pra mund të prodhojë, si të thuash, një krizë të re me largimin e zotit Abdixhiku, i cili për momentin ka ngrirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje.
Pavarësisht se ka pasur një takim me zotin Kurti ku ishte shumë shpresëdhënës, në kuptimin që të dyja palët u ndanë të kënaqura dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar negociatat, mirëpo duket që zhvillimet brenda LDK-së e kanë penguar një gjë të tillë. Çka mund të shkaktojë përsëri pra mundësinë e zgjedhjeve, për arsye se vetëm se afati kushtetues ka filluar të rrjedhë dhe në këtë kuptim duket që partitë janë larg për të gjetur një zgjidhje për presidenten ose presidentin e ri të vendit. Për shkak se Lëvizja Vetëvendosje për Kuvendin dhe Qeverinë e vetëm se i ka numrat e vetme.
Mirëpo i mungojnë ato për president. Dhe shto këtu faktin që partia e dytë, Partia Demokratike e Kosovës pra, ka dhënë qëndrimin e saj të qartë se është kundër një koalicioni dhe ajo do të qëndrojë në opozitë, çka mund të nënkuptojë se nuk do ta japë kontributin e saj në zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sapo u bë certifikimi i zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje e ka pritur pra certifikimin e zgjedhjeve. Pastaj zoti Kurti bëri takime me, me partitë e ndryshme, në këtë rast me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Me këtë të dytën është parë më shpresëdhënëse për arsye se aty ishte dhe Vjosa Osmani. Takimi zgjati diku më tepër se dy orë e gjysmë dhe thuhet se sipas informacioneve, pra, partitë edhe e kishin marrë vesh për ndarjen e, e, e posteve. Pra ka rrjedhur disa informacione nga brenda ku LDK-së i ishin ofruar tre ministri dhe kryetari i Kuvendit, ndoshta presidenti do t'i takonte Lëvizjes Vetëvendosje.
Kështu që me pak fjalë pika e shumë parim ishin rënë në ujdi, kishin mbetur, ka mbetur vetëm për të vazhduar prapë takimet. Mirëpo, zhvillimet e brendshme të LDK-së e kanë sjellë në një status-quo trajtimin e zotit Abdixhiku, i cili jo vetëm se e ka ngrirë, pra, funksionin e tij, në kuptimin e përfaqësimit të LDK-së në, në, në negociatat me zotin Kurti, dhe kjo është një pengesë shumë e madhe.
Po, zonja Osman ka dhënë një kontribut të madh në, në takimin mes zotit Kurti dhe zotit Abdixhiku. Për dy arsye. Zonja Osmani në takimin me zotin Kurti si të thotë një fjalë e popullit, i kishte bërë be zotit Kurti, ishte shfajësuar për të gjitha akuzat që ishin bërë ndaj saj se ajo nuk ka qëndruar asnjëherë prapa një, ë, puçi të mundshëm për rrëzimin e zotit Kurti. Dhe në anën tjetër, ka deklaruar publikisht zotit Kurti që ajo nuk është pengesë për formimin e institucioneve, në kuptimin e insistimit të saj për të qenë presidente, ajo ka thënë që, 'unë mund të largohem nga kandidatura për hir të krijimit të institucioneve', dhe kjo ka krijuar një disponim të ri.
Zonja Osmani nuk ka deklaruar deri më tani, mirëpo ajo është një mbështetëse e madhe e zotit Abdixhiku, i cili i hapi derën pavarësisht kundërshtimeve të mëdhaja që ka pasur nga brenda në LDK. Për Vjosa Osmanin, e cila është fajësuar gjithmonë që në 2021-shin ishte pikërisht ajo që e çoi LDK-në në debakël të asaj kohe. Kështu që një pjesë e madhe e anëtarëve të LDK-së nuk ia kanë falur këtë.
Prandaj edhe zonja Osmani duket që nuk e ka targetin për të dhënë qëndrime, për arsye se ajo momentalisht nuk është as anëtare e LDK-së. Pra, nuk ka të drejtë të flasë për një parti të cilës ajo zyrtarisht nuk i takon. Po qytetarët janë lodhur tashmë me zgjedhje, kujtojmë që në zgjedhjet e fundit numri i madh i qytetarëve vetëm se e kanë bojkotuar zgjedhjet.

