Lista Serbe/ Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kërkojnë asociacion të veçuar

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë votuar të premten për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe për t’u bashkuar në një asociacion të veçuar të komunave serbe.
Kjo është hera e dytë që këto komuna marrin një vendim të tillë, pas një votimi të dhjetorit 2025 që ishte shpallur i paligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, kishte argumentuar se votimi i dhjetorit ishte bërë me parregullsi procedurale, pasi propozimi ishte bërë nga kryetarët e komunave dhe jo nga anëtarët e kuvendit, siç përcakton Ligji për Vetëqeverisjen Lokale.
Ai kishte kritikuar Listën Serbe se me këtë veprim po nxisnin ndasi dhe tensione ndërmjet komuniteteve.
Vendimi i ri i së premtes do t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për aprovim, pasi ajo është organi mbikëqyrës i komunave.
Historikisht, këto komuna u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor 2022, duke braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj Qeverisë së Kosovës.
Nën kryetarët shqiptarë, komunat iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023, i cili funksionon si organizatë joqeveritare për shkëmbimin e përvojave dhe mbrojtjen e interesave të anëtareve.
Lista Serbe ka kundërshtuar prej kohësh anëtarësimin e komunave serbe në asociacion, duke e cilësuar vendimin të paligjshëm dhe jo në dobi të qytetarëve.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se komunat serbe duhet të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave serbe, çështje për të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar disa herë gjatë dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Deri tani, Kosova nuk ka ndërmarrë hapa për themelimin e këtij asociacioni.

