Kush i hedh benzinë zjarrit në Ballkan? Veliu: Sulmi terrorist serb, ngjarja më e rëndë jo vetëm e 2023-it. Ja gabimet e Kurtit
Prej muajsh në Kosovë ka pasur zhvillime, reagime dhe vendime në kuadër të shtensionimit të marrëdhënies Kosovë-Serbi.
Dhe gjithçka që i hodhi benzinë zjarrit të tensioneve ishin zgjedhjet në Veri të Kosovës dhe marrjen e 4 komunave me shumicë serbe nga drejtues shqiptarë.
Ngjarje kjo që u pasua me sulmin terrorist të 24 shtator në Banjskë, një sulm për të cilin në qendër të akuzave është vënë Milan Radoiçiç, të cilin Beogradi zyrtar refuzon ta dorëzojë para drejtësisë së Kosovës.
Dhe pas kësaj masat dhe ultimatumet ndaj qeverisë serbe dhe asaj kosovare nuk kanë munguar nga partnerët ndërkombëtarë.
Për të kuptuar më shumë nga situata më e fundit e krijuar në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, Lulzim Veliu, analist dhe studiues i çështjeve rajonale i ftuar në Ora News deklaroi se viti 2023 trashëgoi problematika nga vitit paraardhës, ku në vjeshtë të të 2022-it nisi çështja e shumëdebatuar e përdorimit të targave të lëvizhshme të automjeteve serbe që do hynin në Kosovë.
“Mendoj se kjo ishte një veprim jo i menduar mirë nga qeveria e Kosovës. Dhe pas kësaj nisën diskutimet e shumta mes ndërkombëtarëve të cilat sa erdhën dhe u tensionuan.
Më pas patëm zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, çka sollën trazira dhe protesta që degraduan në përplasje fizike mes protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it.
Këmbëngulja e qeverisë së Kosovës për këto zgjedhje çoi në vendosjen e sanksioneve nga ana e BE-së.
Dhe si përgjigje u organizuan sërish zgjedhjet në veri, të cilat ende sot nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit.
Ndërkaq situata kulminoi me sulmin e paprecedentë terrorist serb në territorin e Kosovës në 24 shtator, çka solli dhe ndryshim të situatës së qeverisë së Kosovës para faktorit ndërkombëtar.
Mendoj se qeveria “Kurti” ka bërë shumë gabime diplomatike si në negociata, ashtu në vendet e Rajonit, por rrezikoi marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, dhe më keq akoma kemi një marrëdhënie shumë të keqe me Shqipërinë, dhe kjo për egon e një njeriu të vetëm që është vetë kryeministri Albin Kurti”, u shpreh Lulzim Veliu.
Lidhur me pritshmëritë e vitit që po troket, Veliu theksoi se qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme në marrëdhëniet me SHBA-në deri në arritjen e një marrëveshjeje të kërkuar me Serbinë.