Kryeministri kroat: Jemi me Kosovën në këtë ditë të trishtuar. Ministri Radman telefonon ministren Gërvalla

Kryeministri kroat: Jemi me Kosovën në këtë ditë

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka shprehur hidhërimin e tij lidhur me aksidentin ku një autobus me targa të Kosovës doli nga rruga duke lënë pas 10 viktima dhe mbi 40 të plagosur.

Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë dhe kishte rreth 60 pasagjerë.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq shkruan në rrjetet sociale se është me familjet e viktimave dhe shpreoj që të plagosurit të shërohen sa më shpejt.

“Me trishtim të madh morëm lajmin për daljen e një autobusi jashtë rrugës afër Slavonski Brod në të cilin humbën jetën dhjetë persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe me autoritetet, popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet dhe simpatinë tonë të thellë. Shpresojmë që pasagjerët e plagosur të shërohen”, shkroi Plenkoviq në Twitter.

Ai më tutje tha se ka komunikuar në telefon me Ministrin e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozinoviq dhe Ministrin e Shëndetësisë, Vili Berosh, ku ky i fundit është nisur drejt vendit të ngjarjes për t’u njohur me të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për t’u ofruar kujdes shëndetësor udhëtarëve të lënduar.

Po ashtu, ministri i jashtëm i Kroacisë, Gordan Grilç Radman ka bërë të ditur se ka informuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla lidhur me aksidentin tragjik të linjës Frankfurt-Prishtinë.

Radman ka shkruar në Twitter se i ka shprehur ngushëllimet për viktimat.

“Bisedova me ministren Donika Gërvalla dhe i shpreha ngushëllimet e mia për njerëzit nga Kosova dhe familjarët e viktimave të aksidentit tragjik të autobusit që ndodhi këtë mëngjes në Kroaci, si dhe shpresën për një shërim të shpejtë të të plagosurve. Ne jemi duke ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme për të gjithë të lënduarit”, - ka shkruar Radman.

EMISIONET