Isufaj: Në Shqipërinë komuniste nuk pati disidencë publike, mendimi ndryshe mbijetoi në “letërsinë e sirtarëve”

Letërsia shqiptare e periudhës së komunizmit dhe fenomeni i disidencës vijojnë të mbeten ndër temat më të debatuara në studimet letrare.
Pedagogia e Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës, Viola Isufaj, ka deklaruar se disidenca letrare në Shqipërinë komuniste nuk mund të krahasohet me atë të vendeve të tjera të Europës Lindore, pasi regjimi nuk lejonte asnjë hapësirë për shprehjen publike të mendimit ndryshe.
E ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, Isufaj shpjegoi se pikërisht kjo solli lindjen e asaj që njihet si “letërsia e sirtarëve”, ku autorët ruanin krijimet e tyre larg syrit të censurës.
Sipas saj, për të kuptuar këtë fenomen duhet parë fillimisht mënyra se si u instalua realizmi socialist në Shqipëri. Ajo e cilësoi atë si një metodë të imponuar nga sistemi politik, e cila detyronte shkrimtarët dhe artistët të krijonin sipas një skeme ideologjike të paracaktuar.
“Rregullat e realizmit socialist nuk kishin të bënin me njeriun, me botën e tij, me atë që ai ëndërron, përjeton apo me thelbin e ekzistencës së tij. Ato mbështeteshin te partishmëria, ndërtimi i heroit pozitiv, lufta e klasave dhe afirmimi i ideologjisë së regjimit,” u shpreh Isufaj.
Ajo theksoi se modeli i “heroit pozitiv” ishte një figurë artificiale, e ndërtuar sipas nevojave të propagandës dhe jo sipas realitetit njerëzor.
“Ky hero pozitiv dështoi, sepse prototipi i tij i vërtetë nuk gjendej në jetë. Ishte një figurë e krijuar në laborator, larg realitetit të përditshëm,” tha pedagogia.
Duke u ndalur te çështja e disidencës, Isufaj sqaroi se vetë termi lidhet me shprehjen publike të mendimit ndryshe, por kjo ishte e pamundur në Shqipëri.
Sipas saj, situata në vend nuk krahasohej as me ish-Jugosllavinë dhe as me vendet e tjera të Lindjes. Në Shqipëri nuk kishte asnjë mundësi, asnjë hapësirë lirie për të shprehur publikisht mendimin kundër totalitarizmit.
Pedagogia solli në vëmendje edhe fenomenin e “samizdatit”, praktikë e njohur në vendet e tjera komuniste, ku autorët botonin vetë veprat e tyre dhe mbanin përgjegjësinë për to.
“Samizdati kishte idenë: vetë e publikoj, vetë e financoj, vetë mbaj përgjegjësi për të, vetë ndëshkohem. Por kjo nuk ishte e lejuar në Shqipëri,” u shpreh ajo.
Megjithatë, Isufaj theksoi se mendimi ndryshe nuk u shua. Ai mbijetoi në forma të fshehta, përmes dorëshkrimeve të ruajtura në sirtarët e shkrimtarëve ose në krijimet e autorëve të burgosur, të shkruara në copa letrash apo të memorizuara.
“Ekzistonte në këto forma, por nuk mund të arrinte te publiku dhe të luante rolin e tij si zë kundër totalitarizmit,” përfundoi Isufaj, duke nënvizuar se pikërisht kjo e bën fenomenin e disidencës shqiptare të ndryshëm nga ai i vendeve të tjera të Europës Lindore.
Viola Isufaj: Është pyetje kruçiale, nyjore, themelore. Është një nga problematikat më të mëdha e cila zgjon diskutime më të shpeshta. Duke ju falënderuar edhe njëherë për ftesën, le të kthehemi pak tek momenti kur instalohet realizmi socialist. Ka lidhje me sistemin politik. Është një metodë e cila detyron shkrimtarët dhe artistët, me dhunë, që të shkruajnë sipas disa rregullave të caktuara.
Rregullat e caktuara të realizmit socialist nuk kanë të bëjnë me njeriun, me botën e tij. Nuk kanë të bëjnë me atë që njeriu rravgon, ëndërron, pëson, ose me thelbin e ekzistencës së tij në jetë. Kanë të bëjnë vetëm me disa parime bazë, katër ishin kryesoret. Me partishmërinë, do të thotë faqet e një romani, sidomos faqet e fundit vetëm do të afirmonin, konfirmonin dhe njëherë ideologjinë. Ka të bëjë me ndërtimin e të ashtuquajturit hero pozitiv dhe antagonistit të tij, personazhit negativ. Pra, personazhet, siç e shihni, duhet të jenë bardhë e zi, pa ngjyra sikurse janë në jetën e njëmendtë.
Personazhi pozitiv duhet të jetë gjithmonë me vendosmërinë e tij të palëkundur për të mbështetur partishmërinë dhe idealet e të tjera. Ka dhe pika të tjera si karakteri popullor i masave, lufta e klasave e të tjerë. Tani kjo ishte dogma që imponohej. Por, është kundra shpirtit të njeriut. Dhe ky hero pozitiv, prandaj dhe dështoi, sepse prototipi i vërtetë nuk gjendej në jetë. Ishte diçka e krijuar laboratorike. Termi është relativ. Shumë dukuri vjen në diskutim. T'ju tregoj se ku qëndron problemi në të vërtetë, ose përplasja.
Çështja e disidencës ka lidhje me mendimin ndryshe në mënyrë të hapur, të shprehur publikisht. Mirëpo në Shqipëri mbizotëronte një situatë e veçantë, ndryshe nga vendet e lindjes. Situata këtu nuk krahasohej as me censurën në ish-Jugosllavi, as në vendet e tjera të lindjes dhe kështu publikimiPo të bëhen fjalë. Ka qenë ideja që ta sqarojmë për të gjithë ata që na ndjekin dhe që ndoshta nuk janë krejt në brendësi të kësaj letërsie, samizdati kishte idenë: vetë e publikoj, vetë e financoj, vetë mbaj përgjegjësi për të, vetë ndëshkohem.
Por kjo nuk ishte e lejuar në Shqipëri. Do të thotë, këtu nuk kishte absolutisht. Nuk kishte asnjë mundësi, asnjë hapësirë lirie publike, të shprehje mendimin kundër totalitar në mënyrë të hapur. Megjithatë mendimi ndryshe ekzistonte në disa forma. Në cilat forma? Ndonjëherë në formë të fshehur dhe të fshehtë, të fshehur edhe të paditur krejtësisht nga të tjerët, në sirtar për shkrimtarët që të themi ishin në liri. Për ata që ishin të burgosur, herë në copa letrash të fshehura, herë të mbajtura mend, se sidomos poezia ka mekanizmin për t'u mbajtur mend, për t'u memorizuar.
Ekzistonte në këto forma. Por nuk luante dot rolin potencial që të shkonte tek publiku, tek lexuesi dhe ta shprehte këtë mendimin kundër totalitar.

