Kryeministri i Kanadasë rikthen marrëdhëniet me Kinën/ Mosmarrëveshjet me Trump po trondisin ekuilibrat e mëparshëm

Kryeministri i Kanadasë rikthen marrëdhëniet me Kinën/

Kryeministri kanadez, Mark Carney, përshëndeti të premten një “partneritet strategjik” të ri me Kinën gjatë një takimi me liderin Xi Jinping, ndërsa aleati i SHBA-së ndërmori hapa për të rregulluar marrëdhëniet me Pekinin përballë tensioneve historike me Donald Trump.

Kanada do të lehtësojë tarifat mbi automjetet elektrike kineze dhe priste që Kina të ulte ndjeshëm pengesat dhe tarifat mbi farën e kanolës kanadeze më vonë këtë vit, tha Ottawa në një deklaratë pas takimit – një hap i rëndësishëm për të zbutur tensionet tregtare që zgjatin prej vitesh.

Carney është kryeministri i parë kanadez që viziton Kinën që nga viti 2017, një vit para se marrëdhëniet mes dy vendeve të përkeqësoheshin pas arrestimit nga Kanadaja të një drejtuesi të gjigantit kinez të telekomunikacionit Huawei, me kërkesë të SHBA-së, dhe pas ndalimit të dy qytetarëve kanadezë nga Pekini pak më vonë.

Vizita e kryeministrit këtë javë ka bërë të qartë objektivin e ri të Ottawës: të afrojë ekonominë e saj me partnerin e dytë më të madh tregtar, pas një viti gjatë të cilit Trump rriti tensionet tregtare dhe politike me Kanadanë, vendosi tarifa të gjera dhe madje shprehu publikisht idenë për ta kthyer vendin në shtetin e 51-të të SHBA-së.

Kjo marrëveshje mund të sjellë gjithashtu më shumë investime kineze në Kanada, pranë pragut të SHBA-së.

Vetë Carney dukej se po i referohej faktit që kjo është pasojë e tarifave të Trumpit, të cilat tani kanë shtyrë një nga aleatët kryesorë të SHBA-së drejt rivalit të saj më të madh.

Ai i tha gazetarëve se marrëdhënia e Kanadasë me Kinën ka qenë më “e parashikueshme” në muajt e fundit dhe se e kishte gjetur bisedën me Pekinin “realiste dhe të respektueshme”.

Ai gjithashtu bëri të qartë se Ottawa nuk pajtohet me Pekinin për gjithçka, duke shtuar se në diskutimet me Xi ai kishte treguar kufijtë e Kanadasë, duke përfshirë të drejtat e njeriut, shqetësimet për ndërhyrjen në zgjedhje dhe nevojën për “garanci”.

Vëzhguesit besojnë se vizita e Carney-t mund të shërbejë si shembull për vende të tjera në botë që gjithashtu po ndiejnë pasojat e tarifave të Uashingtonit.

 

EMISIONET