“Merrnin paga pa punuar”/ Ministria e Mjedisit shkëput kontratat e 20 zyrtarëve nga komuniteti serb

“Merrnin paga pa punuar”/ Ministria e Mjedisit shkëput

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë ka ndërprerë kontratat e punës për 20 zyrtarë nga komuniteti serb, të cilët sipas institucioneve ishin pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e kësaj ministrie, Fitore Pacolli, e cila deklaroi se vendimi është marrë për shkak të mungesave të vazhdueshme në vendin e punës dhe në bazë të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas saj, zyrtarët ishin punësuar në ish-Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që nga 5 janari i vitit 2016, por nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre zyrtare.

“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite,” deklaroi Pacolli.

Ministrja theksoi se masa synon vendosjen e standardeve të njëjta në administratën publike dhe garantimin e respektimit të detyrave të punës nga të gjithë të punësuarit në institucionet shtetërore.

EMISIONET