Kishin humbur rrugën dhe u rrezikuan nga flakët, Peleshi: Zjarrfikësit shqiptarë shpëtojnë irakianë në Greqi

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se zjarrfikësit shqiptarë të cilët ndodhen në Aleksandrupoli, Greqi, për të ndihmuar në betejën me flakët, u kanë ardhur në ndihmë 9 emigrantëve nga Iraku.
Sipas Peleshit, emigrantët kishin humbur rrugën dhe më pas ishin përballur me rrezikun e flakëve.
“Forcat zjarrfikëse dhe ekipi mjekësor shqiptar kanë shpëtuar 9 emigrantë nga Iraku që kishin humbur rrugën, e më pas ishin përballur me rrezikun e flakëve në Aleksandrupoli të Greqisë”, tha Peleshi.
“Ekipi shqiptar u ka dhënë emigrantëve ndihmën e parë mjekësore si dhe ushqim. Gjendja shëndetësore e personave paraqitej problematike pasi për shkak të mungesës së ushqimeve dhe ujit të pijshëm, kishin konsumuar ujëra të ndotura”, përfundoi Peleshi.

