Hibrid: Transparenca është thelbësore në përdorimin e inteligjencës artificiale në politikë!

Platforma për verifikimin e fakteve, Hibrid.info, ka bërë thirrje për transparencë më të madhe në përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në komunikimin politik, duke theksuar se përmbajtjet e krijuara me këtë teknologji po përdoren gjithnjë e më shumë në fushatat zgjedhore në Kosovë.
Në një njoftim për media, platforma vlerëson se materialet e gjeneruara me IA po shfrytëzohen për të paraqitur premtime elektorale, vizione për të ardhmen, por edhe për të komentuar zhvillimet shoqërore dhe institucionale.
Sipas Hibrid.info, megjithëse këto përmbajtje mund të jenë mjete efektive komunikimi, ato bartin rrezikun që të perceptohen nga publiku si pamje ose ngjarje reale. Për këtë arsye, transparenca dhe informimi i qartë i qytetarëve duhet të jenë parime themelore në përdorimin e inteligjencës artificiale në fushatat politike.
Platforma thekson se Kosova ende nuk ka një kornizë ligjore që obligon etiketimin e përmbajtjeve të krijuara me IA. Megjithatë, standardet evropiane, përfshirë AI Act, kërkojnë identifikimin e qartë të përmbajtjeve sintetike për të parandaluar dezinformimin dhe për të mbrojtur integritetin e debatit publik.
Hibrid.info njofton se do të vazhdojë të angazhohet për vendosjen e standardeve dhe mekanizmave që garantojnë transparencë në përdorimin e inteligjencës artificiale, duke theksuar se përdorimi i saj në komunikimin politik është i pranueshëm vetëm kur shoqërohet me etiketime dhe deklarime të qarta që i informojnë qytetarët për natyrën e përmbajtjes që po konsumojnë.

