Strategjia për bujqësinë, Guri: 19,000 aplikime nga fermerët, skema mbulon 75% të kostove për serat

Fushata e këtij viti për skemat e mbështetjes në bujqësi ka shënuar një fluks të jashtëzakonshëm, duke regjistruar deri më tani plot 19,000 aplikime aktive.

Fatmir Guri, zv. Ministër i Bujqësisë në një intervistë për “Ora News” sqaroi nismën teksa theksoi se po përdoren të gjitha instrumentet e mundshme për informim, me qëllim të vetëm që asnjë fermer që plotëson kriteret të mos mbetet pa përfituar nga këto fonde.

Sipas të dhënave, Guri tha se interesi dhe ndërgjegjësimi më i lartë është përqendruar në sektorin e blegtorisë. Aplikimet kryesore po dominohen nga mbarështuesit e gjedhit, të imtave, si dhe nga sektori i bletarisë. Paralelisht, një numër i madh kërkesash është shënuar edhe për instrumentet e mbështetjes direkte të sipërfaqeve të mbjella.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet luftës kundër kimikateve dhe rritjes së sigurisë ushqimore, çështje këto që kanë ngjallur vazhdimisht ankesa.

Për t'iu përgjigjur kërkesave për produkte të pastra dhe për të plotësuar standardet e certifikimit Global GAP, Guri u shpreh se po zbatohet një masë e fortë për kontrollin biologjik në sera. Kjo strategji synon t'i japë një vlerë të shtuar produktit shqiptar, i cili bazën e eksporteve e ka te hershmëria dhe prodhimet e serave.

Synimi kryesor është që tregjet evropiane të mos furnizohen vetëm me sasi, por me një cilësi që bën diferencën, duke i ofruar njëkohësisht edhe konsumatorit vendas një siguri shumë më të lartë ushqimore.

Lajmi i këtij viti është rritja drastike e financimit për këtë sektor: skema aktuale rimbursom plot 75% të kostove për produktet që sigurojnë mbrojtjen biologjike në sera, duke i dhënë kështu një hov të ri bujqësisë së gjelbër në vend.

PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME FATMIR GURIN, ZV. MINISTËR I BUJQËSISË

EMISIONET