Gjini: Gjashtë pikat e Aleancës janë të panegociueshme për të ardhmen e Kosovës

Gjini: Gjashtë pikat e Aleancës janë të panegociueshme

Pas mbledhjes konstituive të Kryesisë së re të Aleancës, kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se janë miratuar agjenda vjetore e punës dhe plani i aktiviteteve që do të zhvillohen në të gjitha degët e Aleancës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka thënë se Kryesia ka diskutuar, përveç çështjeve organizative, edhe zhvillimet politike në vend pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe nevojën për krijimin e institucioneve të qëndrueshme.

Sipas tij, Aleanca mbetet e përkushtuar për një proces politik që garanton stabilitet, përgjegjësi dhe një orientim të qartë për Kosovën.

Gjini ka ritheksuar se oferta gjashtëpikëshe e Aleancës vazhdon të jetë baza e qëndrimit politik të partisë, duke e cilësuar atë si të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare.

“Kushdo që synon ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, duhet ta kuptojë se këto projekte strategjike janë të panegociueshme për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Gjini.

Ai ka theksuar se Aleanca do të vazhdojë angazhimin e saj politik në përputhje me këto prioritete, duke kërkuar një qasje të përgjegjshme në proceset e ardhshme institucionale.

EMISIONET