Gara për Kryeprokurorin e Shtetit hyn në fazën vendimtare, pesë emra në listë!

Gara për Kryeprokurorin e Shtetit hyn në fazën vendimtare,

Pesë emra të prokurorëve janë konfirmuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, afati për konkursin e të cilit është mbyllur të mërkurën më 10 qershor.

Sipas renditjes alfabetike, në këtë pozitë kanë aplikuar:

Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit,

Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Dema, shkurtimit përmes telefonit ka thënë “po kam aplikuar”.

Në anën tjetër, prokurori Abazi ka thënë se me këtë konkurs pret që të plotësohet pozicioni më i rëndësishëm brenda Sistemit Prokurorial.

“Po unë dje kam aplikuar, siç e dini ka qenë afati i fundit për aplikim, kështu që jam pjesë e konkursit që është shpall nga ana e Këshillit Prokurorial. Ju e dini që kjo është pozitë e cila ka qenë ndër vite me ushtrues detyre, dhe tash me këtë konkurs është një ndër konkurset që e plotëson ndoshta edhe pozicionin më të rëndësishëm në sistemin prokurorial.

Po besoj që do të jemë pjesë e një gare që do të jetë transparente, meritore dhe të zgjidhet kandidati që i plotëson të gjitha kriterët siç është kërkuar nga ana e Këshillit, Ligjin për Këshillin Prokurorial, Prokurorin e Shteti dhe rregullorët që i ka këshilli në fuqi”, është shprehur Abazi.

“Ju konfirmojë se kam aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Është në interes të sistemit të drejtësisë dhe të qytetarëve që Kryeprokurori i Shtetit të zgjidhet sa më shpejtë përmes një procesi të rregullt dhe transparent”,  ka shtuar ai.

Ndërsa, thirrjeve dhe mesazheve të redaksisë nuk i është përgjigjur prokurori Shqipdon Fazliu, mirëpo kandidimin e tij e kanë konfirmuar disa burime brenda sistemit prokurorial.

Kandidimin në këtë garë, e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.

“Po është e vërtetë, e konfirmoj kandidimin tim për Kryeprokuror të Shtetit”.

Megjithatë, lista e plotë me të gjithë emrat që kanë kandiduar për këtë pozitë, pritet të bëhet publike ditëve në vazhdim, pasi të bëhet edhe verifikimi i aplikimeve të kandidatëve, për çështjen e plotësimit të kritereve.

Përveç emrave të konfirmuar, si kandidatë të mundshëm janë diskutuar edhe zëvendëskryeprokurori i PSRK-së, Valdet Gashi, prokurori special Admir Shala, prokurori i Gjilanit Arben Ismajli dhe prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, mirëpo të njëjtit përmes përgjigjeve me shkrim e kanë mohuar.

Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

Kujtojmë se në atë mbledhje, anëtari Milot Krasniqi e kishte kundërshtuar shpalljen e konkursit. Ai kishte kritika për atë që e quante “nxitim të shpalljes së konkursit” pa qenë të pranishëm i gjithë Këshilli në takim, duke thënë se Këshilli nuk duhet të bie në diktatin e pushteteve tjera, derisa theksoi se kandidati Blerim Isufaj ishte refuzuar nga atëkohë presidentja Vjosa Osmani, pa një vendim të arsyetuar.

“Publiku e di që ky proces është bllokuar qëllimisht tash e rreth 4 vjet. Pasi u prit kaq kohë, unë nuk e di thjesht arsyen pse sot ngutemi dhe cila është kjo urgjencë me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Pse të mos presim që të krijohen kushtet ligjore dhe legjitimiteti i plotë për këtë veprim. Pse Këshilli duhet të veprojë kur për këtë proces kanë folë dhe flasin tjerët- ata që kanë më së paku të drejtë, ata që s’kanë as të drejtë kushtetuese, as ligjore e as njerëzore të përfshihen në këtë proces”, kishte thënë ndër të tjera Krasniqi.

Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata e kishte refuzuar kërkesën dhe se tash lënda gjendet në procedurën e ankesës në Gjykatën e Apelit./BetimipërDrejtësi

EMISIONET