FOTO/ Zejnulla Gashi emërohet Kryeprokuror i Shtetit/ Haxhiu dekreton vendimin pas propozimit të KPK-së

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnulla Gashin në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Haxhiu bëri të ditur se para marrjes së vendimit është zhvilluar një shqyrtim i detajuar i dokumentacionit të dorëzuar nga KPK-ja, përfshirë edhe informacionet nga institucionet e sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.

Ajo deklaroi se vendimi është marrë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të drejtësisë.
“Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues”, u shpreh Haxhiu, duke kërkuar nga Gashi që detyrën ta ushtrojë me integritet, paanshmëri dhe profesionalizëm.
Ajo theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës dhe formave të tjera të kriminalitetit duhet të jetë prioritet i organit të akuzës.
Zejnulla Gashi u propozua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pas një procesi votimi ku mori pesë nga gjashtë votat e anëtarëve të KPK-së. Ai merr detyrën pasardhëse të Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë së Shtetit.


