Eskalon protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë në Kosovë, arrestohet një protestues

Hedhja e ngjyrës së kuqe në drejtim të objektit të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka shënuar momentin e eskalimit të protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Prishtinë, duke çuar në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe arrestimin e një personi.
Protestuesit kanë brohoritur kundër rritjes së paralajmëruar të faturave të energjisë. Ndërkohë, pas tensioneve tek ndërtesa e KEDS-it, është arrestuar një i moshuar.
Organizatorët e quajnë këtë proces të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët.
Aktivisti Erbilin Ajdini ka akuzuar KEDS-in për rritje të vazhdueshme dhe të padrejtë të faturave të energjisë elektrike. Ai ka deklaruar se në vitin 2022 dhe 2023 qytetarëve u janë rritur faturat me arsyetimin e krizës globale, ndërsa sivjet, sipas tij, po tentohet një rritje tjetër prej rreth 20 për qind.
“Në vitin 2022, KEDS kërkoi që të shtrenjtohen faturat e energjisë, me arsyetimin se ka shtrenjtim anë e mbanë botës, dhe ne i besuam. Vitin tjetër KEDS bëri të njëjtën kërkesë, dhe ndonëse skeptik, i lejuam që të vjedhin pak më shumë se vitin e kaluar. Sot KEDS thjesht zgjat dorën drejt në xhepat tonë dhe merr aq sa ia do qejfi. E kemi pa tashmë që kjo dëshirë nuk ngopet askund, se oreksi i KEDS është i gatshëm që të marrë që të gjithë fitimet tona.
Po nuk iu bindëm, ata na kërcënojnë me kamxhik. Na thonë se pa KEDS nuk do të kishim dritë në lagjet tona, na thonë se pa KEDS nuk do të kemi ngrohje në lagjet tona. Na thonë se problemi është te konsumi ynë i tepërt dhe jo te oreksi i KEDS-it. Vjet vodhën 16.1 për qind, që na bënë trekëndëshi KEDS–ZRRE–Qeveri. Edhe sivjet po duan me na trashë edhe më shumë e me na thënë se ka rritje tjetër prej 20 për qind, është një hile e zanatit të KEDS”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar bojkot të faturave të energjisë elektrike, si dhe bllokim të rrugëve dhe institucioneve në rast të shtrenjtimit të çmimit të rrymës.
“Këtu prapa nesh po na zihet edhe një hile tjetër, që neve popullin do të na varfërojnë edhe më shumë. Por këtë hile nuk mundemi me e kapërcye këtu. Jemi këtu për me i thënë KEDS se durimit tonë i ka ardhur fundi dhe nuk mund të silleni sikur jeni kapedana e që na shtroni zullumin kudo që ua vë syrin edhe një zero më shumë në obligimet e juaja. Ju nuk mund të vazhdoni të vidhni këtë popull të cilëve veçse ia keni vjedhur një pjesë të aseteve më jetike. Nuk mund të vazhdoni të na i faturoni neve dështimet dhe dëshirat e juaja për rritje, mbi trupat tonë. Tash e sa vjet nuk jeni në shërbimin tonë, jeni kundër nesh, jeni fajdexhinjtë tanë më të mëdhenj. Prandaj tash e tutje edhe ne do t’iu dalim përballë, do t’iu përcjellim dhe do t’ju bojkotojmë deri kur ky institucion të kthehet në anën e popullit. Në momentin kur ju shtrenjtoni faturat, ne fillojmë bojkotin. Do t’i bojkotojmë faturat dhe do të bllokojmë rrugë e institucione deri atëherë kur ky vend të fillojë punën për ne dhe jo për kapitalin”, theksoi ai.
Qytetarja Sevdije Sadiku në mes të turmës, ka shprehur shqetësimin e saj për barrën e rëndë që po mbajnë familjet kosovare.
Edhe një qytetar tjetër në moshë, është shprehur i revoltuar nga kjo situatë.
“Qeveri kriminale i ka lënduar me qindra policë, që sot këta fëmijët tanë të mjerë e kapin prindërit e tyre pse kundërshton shtrenjtimin e energjisë. Unë plak 70-vjeçar kam me i pri këtij populli për ta përmbys këtë qeveri, qeveri kriminale. Ai kryeministër që ik prej popullit nuk është kryeministër i popullit të Kosovës”, tha ai.
Protestuesit vazhduan protestën nëpër sheshet e Prishtinës për t’u ndalur tek Qeveria. Aty policia kishte vendosur një kordon, por me insistim, protestuesit arritën të kalojnë deri tek dera hyrëse e objektit të qeverisë, ku edhe vendosen “STOP hajnisë me fatura të energjisë elektrike”, “KEDS-i na len n’terr e na vjedhë” dhe “Energjia rritet, populli digjet”.
Organizator i protestës, Egzon Hajdari ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) se ka aprovuar kërkesat e KEDS-it pa marrë parasysh interesat e qytetarëve. Ai para ndërtesës se qeverisë ka bërë thirrje për mobilizim më të madh të qytetarëve në protestat e ardhshme dhe ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.
“Të vetmin rol që e ka luajtur ZRRE deri tash është aprovimi i kërkesave të KEDS. Kërkoj nga gjithë qytetarët që të na bashkohen në protestat e radhës edhe më shumë. Kërkesa e parë e menjëhershme duhet të jetë parandalimi i rritjes abuzive nga KEDS-i, sepse qytetarët nuk ja kanë borxh fitimin KEDS-it. Kërkesa e dytë menjëherë pas konsituimit të kuvendit dhe qeverisë duhet të shkarkohet bordi i ZRRE-së i cili p i shërben KEDS, e jo qytetarëve. Dhe duhet të hapet debati dhe të fillojë procesi i shtetëzimit të KEDS-it. KEDS-i duhet t’i takojë popullit”, ka thënë ai.
Në mes të protestës, edhe qytetarja, Sevdije Sadiku ka shprehur revoltën e saj për barrën e rëndë që po mbajnë familjet kosovare.
Protesta e organizuar nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” në bashkëpunim me “Përpjekja”, është shpërndarë e qetë para qeverisë.
Ndryshe, KESCO ka propozuar rritje prej 21.4 për qind të çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se vendimi final do të merret nga ZRRE pas shqyrtimit.
/KosovaPress


