Albin Kurti prezanton programin qeverisës: Reforma në Drejtësi do të hyjë në fazën vendimtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë. Gjatë fjalës së tij, Kurti vendosi një theks të veçantë te Reforma në Drejtësi, për të cilën tha se do të hyjë në fazën vendimtare.
Kurti tha se vitin e shkuar PBB ka arritur në 11 miliardë euro, nga 7 miliardë, ndërsa këtë vit projektohet të arrijë në 12 miliardë euro. Kreu i qeverisë u shpreh se ligji për Byronë Shtetërore duhet të ecë para bashkë me vettingun.
“Këto gati 5 vitet e fundit, nga të cilat 1 vit pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar një Kosovë më të fortë e më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon, përkundër sfidave globale, me një rritje prej 6 %. Vjet PBB ka arritur në 11 miliardë euro, nga 7 miliardë euro kur erdhëm në pushtet. Ndërkohë projektojmë që sivjet PBB të arrijë në 12 miliardë euro.
Kemi forcuar policinë dhe mbrojtjen e ligjit, ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit. Investuam në forcimin e ushtrisë dhe në luftën kundër kriminalitetit. Reforma në drejtësi në këtë mandat do të hyjë në fazën vendimtare. Do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet pa frikë e pa favore. Reforma në Drejtësi ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore duhet të ecë para bashkë me vettingun. Do themelohet Prokuroria e re e specializuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Kurti.

