BE shqetësohet për moskonfirmimin e deputetëve të Listës Serbe në Kosovë

Bashkimi Evropian ka shprehur "shqetësim serioz" për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe - partinë më të madhe të serbëve në Kosovë - nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
"BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën", tha zëdhënësi i BE-së në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur të jenë në gjendje t'i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
KQZ-ja i miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, por jo rezultatet për Listën Serbe.
Moskonfirmimi i nëntë anëtarëve të Listës Serbe në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës u dënua ashpër nga vetë partia dhe Beogradi zyrtar.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro konfirmimit të rezultateve, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek (në anën e majtë të fotografisë) dhe anëtarët e kësaj partie, Igor dhe Sllavko Simiq, gjatë një prononcimi për media në hollin e Kuvendit të Kosovës më 2025.
Lista Serbe, parti e cila mbështetet nga Beogradi, paraqiti një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 2 shkurt, lidhur me vendimin e KQZ-së.
Lista Serbe e përshkroi vendimin e 2 shkurtit si "të paligjshëm dhe diskriminues", duke thënë se ai anulonte më shumë se 42.000 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Në ato zgjedhje, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.
Deputetët e Listës Serbe në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë tha se po i monitoron nga afër zhvillimet dhe bëri thirrje për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare zgjedhore.
"Ne bëjmë thirrje për publikim transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve të zgjedhjeve si një mjet për të siguruar siguri ligjore dhe trajtim të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor", tha OSBE-ja.
Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti fitoi 51.10 për qind të votave, ose 57 ulëse parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi 20.19 përqind të votave (22 ulëse), Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 përqind (15 ulëse), ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi 5.50 përqind të votave, gjashtë ulëse në Kuvend.

