Ballkani dënon Rusinë, ende asnjë reagim nga Aleksandër Vuçiç

Ballkani dënon Rusinë, ende asnjë reagim nga  Aleksandër

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur solidaritetin e tyre me Ukrainën pas nisjes së ofensivës ruse, por një gjë të tillë nuk e ka bërë presidenti serb Aleksandër Vuçiç i cili ka zgjedhur të heshtë në mesin e tensioneve në lindje të Evropës.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter e ka dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

E po ashtu i dërguari i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ka shprehur mbështetjen e vendit tonë ndaj Ukrainës.

Ferit Hoxha: Ne ritheksojmë mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve dhe ujërave territoriale të saj të njohura ndërkombëtarisht. Si përfundim, mirëpres praninë e Përfaqësuesit të Përhershëm të Ukrainës në këtë takim. Unë do të doja t’i përcjell atij, qeverisë dhe popullit ukrainas se, në këtë moment kritik të historisë së tyre, ata nuk janë vetëm dhe ne qëndrojmë të vendosur dhe në solidaritet të plotë me ta, për të drejtën e tyre për të qenë të lirë dhe të zgjedhin kush duan të jenë.

Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova është krah NATO-s e BE-së në kundërpërgjigjen e tyre ndaj Rusisë.

Presidentja Osmani e krahasoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës me gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Edhe presidenti malazez Millo Gjukanoviq ka thënë në Twitter se i bashkohet thirrjeve të BE-së që Rusia të tërheqë forcat nga Ukraina.

Edhe në Maqedoninë e Veriut presidenti maqedonas Stevo Pendarovski dhe kryeministri Kovaçevski kanë thënë se pushtimi rus shkel të drejtën e pronës dhe të sovranitetit ukrainas.

Me gjithë zhvillimet tronditëse në lindje të Evropës, presidenti i Serbisë ka zgjedhur të heshtë, mosveprime që mund t’i kushtojnë në perspektivën evropiane të vendit.

Në heshtje ka qëndruar edhe anëtari serb i Bosnje Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili tashmë është i shpallur Non-grata nga Departamenti i Shtetit.

EMISIONET