AKUZA PËR SHËNDETËSINË NË KOSOVË! Bekim Haxhiu akuzon Ministrinë për keqmenaxhim dhe "tenderomani"
Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për keqmenaxhim dhe përkeqësim të shërbimeve shëndetësore në Kosovë. Ai pretendon se mungesa e barnave dhe listat e gjata të pritjes janë pasojë e abuzimeve në sektor dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë të nisë hetime.

Ish-deputeti i PDK, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës për keqmenaxhim të sektorit, duke pretenduar se sistemi shëndetësor është përkeqësuar sipas tij, si pasojë e, "tenderomanisë" dhe favorizimit të grupeve të interesit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se qytetarët po përballen me mungesë barnash, materialesh mjekësore dhe lista të gjata pritjeje për shërbimet shëndetësore.
“Listat e pritjes për marrjen e shërbimeve shëndetësore tanimë janë afër gjashtë vite, prej gjashtë muaj deri në gjashtë vite. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë merret me tenderomani. E keni parë dhe rastin e fundit të publikuar edhe në media, përveç atyre abuzimeve të tjera, tani edhe ambulantat të cilat janë të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë, janë të pacertifikuara me çmime abuzive e në të cilat nuk garantojnë cilësinë e shërbimit”, tha Haxhiu.
Ish-deputeti i bëri thirrje Prokurorisë së Kosovës të hetojë rastet që ai i cilësoi si abuzime në sektorin e shëndetësisë.
“Unë ftoj Prokurorinë e Republikës së Kosovës që vërtet, ashtu siç kam kërkuar edhe më herët, që të lë një prokuror kujdestar për të gjitha këto abuzime të cilat pothuajse janë të përditshme në sektorin e shëndetësisë”, tha ai.
Haxhiu tha se mungesa e barnave dhe materialeve mjekësore ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e listave të pritjes.
Si shembull ai përmendi Klinikën e Ortopedisë, ku pacientët presin prej rreth një viti e gjysmë për proteza dhe materiale të tjera, si dhe Radiologjinë, ku pritja për rezonancë magnetike ka kaluar nga deri në një javë në vitin 2020 në gjashtë deri në tetë muaj aktualisht, pavarësisht shtimit të numrit të aparaturave.


