A*më të fshehura në autobusin e një kompanie kosovare, ndalohet njëri nga shoferët në Hungari

Autoritetet hungareze kanë zbuluar armë zjarri të fshehura në një autobus të kompanisë kosovare “Pranvera Tours”, gjatë një kontrolli të zhvilluar në fund të muajit qershor në dalje të autostradës M5, në zonën e Balastyas.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë kontrollit doganor janë gjetur katër revole të fshehura poshtë ulëseve pranë shoferit, së bashku me tre qese që përmbanin cigare pa pullë akcize. Dyshimet janë se armët po transportoheshin në mënyrë të paligjshme drejt territorit hungarez.
Pas zbulimit të tyre, hetuesit kanë marrë në pyetje dy drejtuesit e autobusit, ndërsa njëri prej tyre, 42 vjeç, është ndaluar nën dyshimin për veprën penale të keqpërdorimit të armëve të zjarrit ose municionit. Shoferi tjetër është lejuar të vazhdojë udhëtimin.
Nga ana tjetër, menaxheri i kompanisë “Pranvera Tours” deklaroi se rasti është raportuar menjëherë edhe në Kosovë dhe se janë hapur hetime. Sipas tij, dyshohet se një rrjet i organizuar ka tentuar të fusë armë në autobusë pa dijeninë e kompanive të transportit. Ai shtoi se vetëm gjatë asaj jave janë evidentuar tentativa të ngjashme në katër kompani të ndryshme transporti, ku armët dyshohet se janë fshehur në bagazhe, pranë dritareve ose në pjesë të tjera të autobusëve. Për ngjarjen, sipas tij, është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit.

