Aksioni në Ujman/ BE i kërkon Kosovës të ndalë rrënimin e vilave

Aksioni në Ujman/ BE i kërkon Kosovës të ndalë

Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me aksionin për rrënimin e disa vilave pranë Liqenit të Ujmanit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve të mëtejshme derisa të adresohen shqetësimet për procedurat ligjore.

Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur keqardhje për rrënimin e objekteve, duke theksuar se banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc për lirimin dhe pastrimin e tokës.

“BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”, thuhet në reagim.

BE-ja ka bërë thirrje që të ndalen çdo rrënim, largim i detyruar apo marrje e mëtejshme në posedim, derisa të shqyrtohen çështjet që lidhen me të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike.

Sipas Brukselit, autoritetet duhet të bashkëpunojnë me banorët dhe komunat e prekura për të gjetur zgjidhje të ligjshme, ndërsa roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të jetë brenda mandatit ligjor dhe i bazuar në vendime të qarta të institucioneve kompetente.

“Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit”, theksoi Zyra e BE-së.

Në fund, Bashkimi Evropian kërkoi nga autoritetet kosovare që t’i trajtojnë këto çështje me urgjencë dhe transparencë, duke siguruar që situata të ngjashme të mos përsëriten.

EMISIONET