Zv.ministri i Jashtëm i Ukrainës: Situatë e vështirë lufte, mirënjohës për mbështetjen e Shqipërisë

Zv.ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Yevhen Perebyinis zhvilloi vizitë në Tiranë që është vizita e parë e një zyrtari të lartë ukrainas që prej fillimit të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në 24 shkurt 2022.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Perebyinis u shpreh se aktualisht situata në Ukrainë është mjaft e vështirë teksa përditë ka civilë të vrarë megjithëse, siç u shpreh ai, ukrainasit kanë arritur të çlirojnë pothuajse 50% të territorit të okupuar fillimisht nga Rusia.
“Fatkeqësisht lufta agresive dhe gjenocidi, lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon dhe siç e dini lufta ka filluar 10 vjet më parë në 2014-ën, por agresioni në shkallë të gjerë i Federatës Ruse ka filluar 2 vjet më parë dhe plani fillestar i Rusisë ishte të pushtonin Ukrainën brenda 3 ditësh, por ushtria jonë e guximshme dhe ushtarët tanë trima nuk u pajtuan me këtë. Ne arritëm të çlironim pothuajse 50% të territoreve të okupuara fillimisht të Ukrainës dhe tani vazhdojmë të çlirojmë territoret tona. Edhe pse po bëhet më e ndërlikuar sepse rusët kanë arritur të krijojnë fortifikime shumë të forta në vijën e frontit”, tha ai.
“Megjithatë ne vazhdojmë të çlirojmë territoret tona me ndihmën e aleatëve tanë, të vendeve perëndimore, përfshirë Shqipërinë, dhe nuk kemi dyshim se do ta fitojmë këtë luftë dhe ne të çlirojmë të gjitha territoret e pushtuara, duke përfshirë Krimenë, e cila u pushtua siç e dini në vitin 2014. Por, fatkeqësisht, duke ndjerë se po humbet luftën, Rusia po përdor metoda terroriste kundër Ukrainës, duke synuar qëllimisht infrastrukturën civile, infrastrukturën kritike të Ukrainës, të tilla si infrastruktura portuale në Detin e Zi, magazinat e grurit, duke penguar Ukrainën të eksportojë drithërat dhe produktet tona bujqësore në vendet që kanë më shumë nevojë për këto produkte bujqësore”, theksoi Perebyinis.
Sa i përket sfidave dhe rreziqeve që vijnë nga agresioni rus me të cilat po përballet Ukraina, Perebyinis u shpreh se, “kjo luftë është një sfidë për popullin ukrainas, sepse nuk mund të ndihesh i sigurt askund në Ukrainë, sepse raketat ruse mund të mbërrijnë kudo, në pjesën lindore të Ukrainës, në jug të Ukrainës, në kryeqytetin e vendit tonë, Kiev, por edhe në pjesën perëndimore të Ukrainës, mijëra kilometra larg kufijve rusë dhe fatkeqësisht njerëz të pafajshëm civilë vdesin çdo ditë”.
“Dhe kjo është situata kur ne duhet të luftojmë kundër agresionit rus, por jeta vazhdon. Ne duhet të jetojmë jetën tonë, studentët tanë duhet të shkojnë në universitete, por është shumë e rëndësishme që të mbrojmë civilët tanë, të mbrojmë qytetet tona nga sulmet ruse”, theksoi ai.
Prandaj, theksoi ai për ATSH, “është shumë e rëndësishme që partnerët tanë perëndimorë të na ofrojnë sisteme të mbrojtjes ajrore që na ndihmojnë të mbrojmë vendin tonë nga raketat ruse, nga dronët rusë, që sulmojnë çdo ditë Ukrainën. Dhe fatkeqësisht njerëz të pafajshëm, kjo është e trishtueshme, vdesin çdo ditë dhe agresorët rusë treguan se si përdorin metoda terroriste kundër Ukrainës, duke përfshirë qytetet e Buçës dhe disa të tjerë”.
“Vetëm disa ditë më parë ata kryen një sulm terrorist në vendbanimin ukrainas Groza, në rajonin e Kharkhivit, duke vrarë 51 persona të pafajshëm gjatë një ceremonie përkujtimore në këtë qytet. Pra, jeta në Ukrainë është shumë sfiduese, por ne duhet të fitojmë për të vazhduar jetën tonë në vendin tonë të pavarur”, u shpreh Perebyinis.
Sa i përket mbështetjes që Shqipëria ka dhënë ndaj Ukrainës si në planin dypalësh ashtu edhe në organizmat ndërkombëtare, ku hera e fundit ishte në Këshillin e Sigurimit, Perebyinis u shpreh “shumë mirënjohës ndaj Shqipërisë për mbështetjen konstante ndaj kauzës së Ukrainës në nivel bilateral, por edhe në organizmat ndërkombëtare”.
“Fillimisht do të doja të përmendja mbështetjen humanitare të Shqipërisë, por edhe më e rëndësishme mbështetjen tuaj të mbrojtjes, duke i siguruar Ukrainës armë dhe pajisje ushtarake që na ndihmojnë të luftojmë kundër agresionit rus”, tha ai.
“Do të doja të përmendja gjithashtu mbështetjen shqiptare me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Ky është një tjetër prioritet i rëndësishëm për Ukrainën, sepse sanksionet na ndihmojnë të parandalojmë shtetin agresor të prodhojë më shumë raketa, të prodhojë më shumë armë me të cilat vrasin ukrainasit”, theksoi më tej Perebyinis.
Dhe sigurisht, shtoi ai, “ne i jemi shumë mirënjohës Shqipërisë për mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”.
“Ky është një nga prioritetet tona, sepse ne besojmë se anëtarësimi në NATO është garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën. Ju e dini shumë mirë, sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s, por për fat të keq Ukraina, për një kohë të gjatë ishte një vend neutral, ne nuk i përkisnim asnjë organizate sigurie. Qeveritë tona të mëparshme besonin se kjo është një garanci se askush nuk do të sulmonte Ukrainën. Fatkeqësisht nuk ishte kështu dhe rusët sulmuan Ukrainën, si një vend neutral. Por në të njëjtën kohë niveli i mbështetjes së anëtarësimit të Ukrainës në NATO u rrit ndjeshëm, pasi Rusia filloi agresionin e saj të plotë kundër Ukrainës. Tani më shumë se 80% e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO”, tha ai.
“Ndaj ne i jemi shumë mirënjohës Shqipërisë për mbështetjen e anëtarësimit tonë të ardhshëm në NATO. Rreth dy muaj më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, duke konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”, nënvizoi zyrtari ukrainas.
Ai shtoi se, “një prioritet tjetër është anëtarësimi në BE, por kjo është diçka që e ndajmë me Shqipërinë dhe shpresoj që një ditë të bëhemi anëtarë të BE-së, së bashku dhe të jemi bashkë në familjen e Bashkuar Evropiane”.
“Në lidhje me Këshillin e Sigurimit të OKB-së dua të theksoj se ne jemi shumë mirënjohës për Presidencën shumë efikase të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Çdo ukrainas e ndoqi online mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku Kryeministri Rama u tregua shumë i ashpër ndaj përfaqësuesit rus në Këshillin e Sigurimit dhe mendoj se çdo ukrainas sot është një fans i kryeministrit tuaj. Pra, ne jemi shumë mirënjohës për qëndrimin e tij shumë të qartë ndaj Ukrainës dhe ndaj vendit agresor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, u shpreh zyrtari ukrainas.
Sa i përket rolit që ka Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e çështjeve të rëndësishme të sigurisë në Ukrainë dhe rajon si dhe mënyrën sesi mund të ndihmojë Këshilli i Sigurimit në zgjidhjen e krizës aktuale, Perebyinis u shpreh se, “natyrisht, Kombet e Bashkuara mbeten shumë të rëndësishme dhe e vetmja organizatë universale në botë, dhe ne jemi shumë mirënjohës për të gjitha vendet në botë, për mbështetjen e një numri të madh rezolutash që mbështesin Ukrainën dhe luftën tonë kundër agresionit rus”.
Por, nënvizoi ai, “fatkeqësisht në ditët e sotme Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk është një organ mjaft efikas i kësaj organizate, kryesisht sepse Rusia, shteti agresor është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, kështu që ka të drejtën e vetos dhe mund të bllokojë çdo vendim, i cili potencialisht mund të zgjidhë situatën”.
Pra, theksoi zv/ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, “ne mbështesim reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe u bëjmë thirrje të gjitha shteteve në botë që të mbështesin idenë e përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, sepse ne besojmë se Rusia e mban vendin e saj në Këshillin e Sigurimit në mënyrë të paligjshme”.
“Ajo zuri vendin e ish-Bashkimit Sovjetik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pa iu nënshtruar procedurës së nevojshme. Askush nuk e zgjodhi Rusinë si zëvendësues të Bashkimit Sovjetik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pra, ne mbështesim reformën e Kombeve të Bashkuara, reformën e Këshillit të Sigurimit dhe gjithashtu zgjerimin e numrit të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ai.
Sa i përket marrëdhënieve të Ukrainës me NATO-n dhe çfarë parashikohet për të ardhmen në këtë drejtim, Perebyinis u shpreh se, “NATO është një nga prioritetet tona të politikës së jashtme. Ne besojmë se kjo është garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën, por sigurisht e kuptojmë se nuk do të jemi në gjendje të bëhemi anëtare të NATO-s, përpara përfundimit të kësaj lufte, para se ta fitojmë këtë luftë”.
Por, theksoi ai, “ne besojmë se duhet të fillojmë tashmë rrugën tonë drejt NATO-s. Ne duhet të jemi të përgatitur për t’u anëtarësuar në NATO, në mënyrë që menjëherë pas fitores të bëhemi anëtarë të kësaj organizate të sigurisë”.
“Dhe unë besoj se anëtarësimi i ardhshëm i Ukrainës në NATO do të jetë reciprokisht i dobishëm si për Ukrainën ashtu edhe për NATO-n. Për Ukrainën është e rëndësishme sepse do të na ofrojë një garanci sigurie shumë të rëndësishme, por besoj se do të jetë gjithashtu e dobishme për NATO-n, sepse NATO me Ukrainën si anëtare do të bëhet patjetër shumë më e fortë se tani, sepse Ukraina është tashmë de-fakto anëtare e NATO-s. Ne përdorim armë, përdorim inteligjencën e NATO-s, përdorim standardet e NATO-s në ndërtimin e forcave tona të armatimit dhe tani po mbrojmë de-fakto krahun lindor të NATO-s. Ne po mbrojmë jo vetëm Ukrainën, por edhe vetë NATO-n, vlerat evropiane nga armiku kryesor i NATO-s që është Rusia”, u shpreh Perebyinis.
Pra, vijoi zyrtari ukrainas, “ne besojmë se do të jetë reciprokisht e dobishme, por nga ana tjetër kuptojmë se ka disa anëtarë të NATO-s që kanë frikë se çdo hap i mëtejshëm drejt anëtarësimit të Ukrainës do të ishte kalimi i disa vijave të kuqe të Rusisë. Ne nuk pajtohemi me këtë, por ky është realiteti, që disa vende nuk janë gati të pranojnë Ukrainën tani”.
“Samiti i fundit i NATO-s në Vilnius konfirmoi se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s, por fatkeqësisht anëtarët e NATO-s nuk ranë dakord për t’i dhënë ftesë Ukrainës për t’u bërë anëtare e NATO-s. Ne jemi ende duke punuar për këtë. Ne kemi shumë vende që mbështesin idenë e ftesës së Ukrainës për t’u bërë anëtare e NATO-s, por siç e dimë NATO është një organizatë konsensusi dhe edhe nëse një vend është kundër, vendimi nuk mund të merret. Pra, detyra jonë është të bindim të gjitha vendet anëtare të NATO-s se ky hap do të ishte hapi në drejtimin e duhur. Pra, ne kemi filluar tashmë përgatitjet për Samitin e NATO-s në Uashington vitin e ardhshëm dhe në të njëjtën kohë po përdorim tani të gjitha mjetet që iu dhanë Ukrainës në Samitin e Vilniusit. Dua të them krijimin e një organi shumë të rëndësishëm që është Këshilli i NATO-s i Ukrainës dhe gjithashtu përdorimi i një mjeti kaq të rëndësishëm si miratimi i një programi kombëtar vjetor, i cili na siguron një mjet shumë të rëndësishëm për t’u përgatitur për anëtarësimin në NATO, si në aspektin e zbatimit të reformave të nevojshme, por edhe duke reformuar forcat tona të armatosura”, tha ai.
Sa i përket objektivave të Ukrainës në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian, Perebyinis u shpreh se, “anëtarësimi në BE është një tjetër prioritet i yni, ashtu si edhe i Republikës së Shqipërisë dhe menjëherë pas fillimit të agresionit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, lidershipi i Ukrainës paraqiti kërkesën për t’u bërë vend kandidat, dhe ne ia dolëm të arrijmë qëllimin tonë në 3 muaj”.
“Në qershor 2022, të gjitha shtetet anëtare ranë dakord që Ukraina ishte gati të bëhej një vend kandidat dhe Komisioni Evropian e njohu Ukrainën si vend kandidat dhe i dha Ukrainës 7 rekomandime që ne duhet të përmbushim për të filluar negociatat e anëtarësimit me BE. Mund të them se pothuajse e kemi përfunduar zbatimin e të gjitha këtyre rekomandimeve dhe do të jemi gati deri në fund të tetorit me zbatimin e këtyre rekomandimeve dhe jam i sigurt se do të bëjmë edhe më shumë se sa është kërkuar që të jemi të sigurt përpara vendimit të Komisionit Evropian në fillim të nëntorit, kur duhet të përgatisin një raport mbi progresin e Ukrainës në zbatimin e reformave të kërkuara”, vuri në dukje ai.
Pra, theksoi ai, “ne shpresojmë që pas këtij vendimi të Komisionit Evropian, Bashkimi Evropian japë dakordësinë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën që këtë vit. Kështu që ne shpresojmë që së shpejti të bashkohemi me të gjitha vendet e tjera kandidate në fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe siç thashë shpresoj që shumë shpejt si Ukraina ashtu edhe Shqipëria të bëhen anëtarë të BE-së”.
Për synimet e vizitës në Tiranë dhe si mund të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve, Perebyinis tha se, do të ketë një sërë takimesh, me autoritetet shqiptare dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
“Fillimisht dua të falënderoj miqtë tanë shqiptarë për gjithë mbështetjen dhe ndihmën që i japin Ukrainës. Por, sigurisht që do të diskutojmë se si mund t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona dypalëshe, si mund ta forcojmë dialogun tonë politik, sepse mendoj se kemi marrëdhënie mjaft të mira mes vendeve tona, liderët tanë takohen rregullisht në kuadër të takimeve ndërkombëtare. Vitin e kaluar kryeministri Edi Rama vizitoi Ukrainën, ishte vizitë shumë e rëndësishme dhe simbolike”, theksoi Perebyinis.
Por, nënvizoi zv.ministri ukrainas, “mendoj se kemi një potencial shumë të mirë për të zhvilluar marrëdhëniet tona, si në fushën politike, por edhe në atë ekonomike, etj. Kështu që ne do ta diskutojmë patjetër këtë, por mendoj se një nga temat e rëndësishme gjatë diskutimit tonë do të jetë krahasimi i situatave tona për çështje të ndryshme të proceseve tona integruese në BE dhe NATO”.
“Sigurisht që do të doja t’u bëja thirrje miqve tanë shqiptarë që t’i bashkohen të gjitha nismave të Ukrainës që synojnë t’i japin fund kësaj lufte. E kam fjalën për iniciativën e Presidentit të Ukrainës, të ashtuquajturën Formulë Paqeje të Presidentit Zelensky, e cila është një mjet shumë i rëndësishëm dhe më e rëndësishmja, një mjet realist për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të arritur paqen. Por jo paqe me çdo çmim. Ne kemi nevojë për paqe që do të garantojë se kjo luftë nuk do të fillojë më në të ardhmen”, tha ai.
“Kështu që mendoj se kemi shumë për të diskutuar me miqtë tanë shqiptarë dhe ambasadori i Ukrainës më tha se vizita ime në Republikën e Shqipërisë është ndoshta vizita e parë në 2 vjet, ndoshta. Kështu që jam shumë i lumtur që jam këtu. Mendoj se është shumë e rëndësishme në shenjë mirënjohjeje ndaj Shqipërisë, për atë që po bëni për ne. Jo vetëm për qeverinë shqiptare, por edhe për popullin shqiptar, sepse e di që shumica e popullit shqiptar mbështet Ukrainën, mbështet luftën tonë kundër agresionit rus dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë, të vijmë këtu dhe të shprehim mirënjohjen tonë për ju”, përfundoi zv.ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Yevhen Perebyinis./ATSH/












